Ozurpimi i atdhedashurisë!

Shkruan: Mr. Driton Arifi

Të ngazëllehet njeriu nga dashuria e pashterrur për atdheun nuk është e çuditshme, po të ndodhë e kundërta ka vend për mahni. Dashuria për vendin është e mpiksur në shpirtin njerëzor dhe është e ngjizur në karakterin e secilit. Shkulja e kësaj ndjenje nga shpirti mbetet një mision tejet i vështirë, por megjithatë, gjatë gjithë historisë kanë arritur “ta kryejnë me sukses” një shtresë e ulët njerëzore. Nga e kaluara e afërt e vendit tonë, e kuptuam se edhe sakrifica për tokën ku ka rënë koka, llogaritet ndër sakrificat më sublime që njeriun e lartësojnë në altarin e denjë të lirisë. Ata që u dashuruan me dheun e kësaj toke, qenë të gatshëm që të flijonin më të shtrenjtën-jetën e tyre, ani pse ndoshta vetë ata nuk ishin të sigurtë nëse gjaku i tyre do të arrinte që t’i freskonte ndonjëherë lulet e lirisë së atdheut. Lërja pas e viteve të sakrificës, nga ana e këtij populli, bëri që pavërejtshëm të disenjohen standarde të reja të patriotizmit dhe të dashurisë për atdheun. Patriotizmi dhe atdhedashuria tashmë, po maten me atë se sa me ngazëllim poi përkujtojmë dhe mitizojmë figurat e së kaluarës sonë, sa me përkushtim flasim në emër të tyre, gjithsesi me kusht që ata emra të mitizuar të përzgjedhen në formë selektive, pa pranuar diskutim fare për ta.
Meqë në vendet e zhvilluara, të cilat e kanë lënë pas luftën para shumë dekadash, atdhedashurinë e tyre e masin me gadishmërinë për derdhjen e tërë potencialit intelektual e fizik për avancim të vendeve të tyre, si dhe për besnikërinë dhe fanatizmin në ruajtjen e vlerave të së kaluarës, tek ne standardi duket se qëndron pak më ndryshe. Në vendet europiane ka shumë prej njerëzve që as emrin e presidentit të tyre aktual nuk e dijnë, lërë më të atyre që kanë vdekur më herët, mirëpo për aç kohë sa të njejtit punojnë konform ligjit dhe derdhin djersën për të mirën e vendit, në asnjë rast të tillët nuk privohen nga epiteti -patriot dhe atdhetar.

Si komunitet shumicë, dhe historikisht kontribues thelbësor në shtetëformim, myslimanët më së paku vuajnë nga kompleksi se a është dikush duke e vlerësuar dashurinë, punën dhe gadishmërinë tonë për sakrificë ndaj atdheut apo jo, ngase ne si ngushëllim për mosmirënjohje eventuale nga të tjerët i marrim gjithnjë citatet hyjnore, si ky : ” Dhe thuaj: “Punoni, Zoti, Pejgamberi i Tij dhe besimtarët do të shohin punë tuaj. Ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e padukshme dhe të dukshme, e do t’u lajmërojë për atë që keni punuar”. (Et Taube, 105). Ky citat na sjellë ndër mend një parim shumë thelbësor, që motiv për punën tënde për atdheun nuk duhet të jenë ovacionet e duartrokitjet e të tjerëve, aq më pak dekoratat që do të ndahen nga liderët e së ardhmes në kohë paqeje, kushdo qofshin ata, por para së gjithash, motiv le të mbetet kërkesa hyjnore e Zotit për të vepruar e punuar punë të mbara gjatë tërë jetës, e të cilat vepra rrjedhimisht do ta shpien përpara vendin, dhe si të tilla do të regjistrohen tek Ai, edhe nëse të tjerët t’i mohojnë. Për të tjerat motive nuk dijmë, vetëm se ky hyjnori pa dilemë se do të mbetet përjetësisht i fuqishëm në vetëdijen njerëzore dhe do t’ua mbanë atyre të gjallë, dashurinë e çiltërt për atdheun. Viteve të fundit, vërejmë një fenomen të çuditshëm në shoqërinë tonë, e ai është se atdhedashuria si vlerë së pari përvijohet me disa korniza tekanjoze, e pastaj e njejta dëshirohet të monopolizohet e të ozurpohet për të mbetur pronë e paprekshme e një shtrese të ngushtë të njerëzve, numrin dhe tiparet e të cilëve i përcaktojnë vetë ozurpuesit e kësaj vlere.

Këtyre i famshmi Thomas Jefferson do t’ua jepte një këshillë tejet me vlerë, ndoshta prej tij e pranojnë më lehtë ku thotë: “Divergjenca dhe mospajtimi në mendime sa herë të jetë i nevojshëm, është forma më e lartë e patriotizmit”. Besojë që edhe për këtë lloj patriotizmi kemi nevojë sot, bëhuni pak më zemërgjerë. Besojmë që me këtë standard edhe ndjenja e atdhedashurisë do të marrë frymë pak më lirshëm. Madje, të njejtit që vendosën standarde të reja të atdhedashurisë, i dhanë të drejtën vetvetës që të mos i lejojnë të tjerët që të duan atdheun pa lejen e tyre dhe pa i pranuar standardet e tyre. Viktimë e një diskriminimi selektiv duket se na dalin jo rrallë herë myslimanët e këtyre trojeve, të cilët vihen në thumb të shigjetave mediatike, e nganjëherë edhe nëpër vepra e libra të disa autorëve, që të cilësohen hiç më pak se”gjak i prishur” i shqiptarit, që si të tillë s’merituakan të jetojnë fare në këto troje. Këtyre me “gjak të kulluar të shqiptarit” e që e kanë tejet të zhvilluar aftësinë e harresës historike, dhe aftësinë për etiketime njollosëse ndaj të tjerëve, ua kujtojmë që më këtë “gjak të prishur” në masën absolute, por jo në tërësi, është paguar edhe fatura e lirisë së Kosovës. Këta që s’qenkan meritorë të qëndrojnë në këto troje, s’pranuan t’i lëshojnë ato ndryshe vetëm për së vdekuri. Para se ta mbylli këtë shkrim u kujtojmë që me këto standarde të reja të patriotizmit e të atdhedashurisë bëjmë mëkat të pafalshëm së paku karshi atyre që u flijuan në altarin e lirisë së atdheut e të cilët atdheun nuk e deshtën në formën siç e përcaktuat ju. Ndryshoni këto standarde së paku për hir të tyre./ kosovapost

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne