Paketa antishpifje na duhet: Për të mbrojtur median dhe publikun nga Kryeministri

nga Fitim Zekthi.

Qeveritë e këqija, ato me prirje totalitare apo ato totalitare, përpiqen të mos i lejojnë për asnjë moment njerëzit të mendojnë, në mënyrë që ata kurrë të mos e kuptojnë shkallën e keqqeverisjes, kufizimit të lirive, abuzimit me të drejat, grabitjen e pronës, varfërinë apo krimininalizmin e jetës së vendit. Qeveria është gjithnjë në një përpjekje të pandalshme që interesi i publikut të mos fokusohet kurrë tek informacioni, gjuha, dikskutimet dhe dija, që është e rëndsishme, por të endet në informacione dhe debate që, në thelb, nuk kanë fare rëndësi për të kuptuiar të vërtetën. Edward Herman, thotë se qeveria vazhdimisht mundohet ta mbajë publikun të zënë, të zënë, të zënë me gjëra kot apo me rrena qeveritare pa i lënë kohë të mendojë. Ajo kërkon që ai të kthehet në fermë si të gjitha kafshët e tjera.

Pikërisht kjo gjë po ndodh sot me debatin që ka hapur kryeministri Rama për mediat online, për paketën që ai e quan antishpifje, për afatin që duhet të respektojnë ato deri sa të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.

I përmbytur nga dallgët e akuzave se ministri i Brendshëm, jo vetëm ka vëllanë të dënuar për trafik droge, por i vëllai ka qenë shumë aktiv në këtë veprimtari edhe kur ministër u bë Xhafaj, kryeministri ka nevojë të hapë një çështje tjetër debati në pamundësi për të patur një përgjigje për këtë çështje. I rraskapitur nga akuzat dhe dyshimet se Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, udhëton me njerëz të dënuar për trafik, ndërhyn dhe kërcënon me armë oficerët e policisë, kryeministri ka dëshpërishimit nevojë për një çështje tjetër debati. I shkatërruar nga dëshmia e Fredi Alizotit që tha se ka marrë para për të dëshmuar se gjoja ai bëri rolin e Agron Xhafajt, i sakatuar nga dëshmitë që tregojnë se drejtori i Policisë, Ardi Veliu, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, kanë kurdisur dëshminë e Alizotit në mënyrë që të fajësohet PD, kanë marrë me makinën e drejtorit të dyshuarin dhe e kanë çuar në Prokurori, i kanë ofruar para etj., kryeministri ka nevojë të dalë nga kjo humbellë dhe të flasë për diçka tjetër. I njollosur si një politikan që i hapi derën përfshirjes në politikë të njerëzve që vijnë nga bota e krimit, që lejoi mbjelljen me kanabis të vendit, që bëri që krimi të ketë rol në vendimarrje të rëndësishme mbi ekonominë apo emërimet, dhe të kontrollojë institucione apo zyra të zbatimit të ligjit, kryeministri Rama me paketën antishpifje, jo vetëm e çon debatin në terma të rehatshëm për të, por edhe mund të shpresojë të krijojë një narrativë të re se gjithçka është produkt i medias shpifëse dhe nuk ka asnjë lidhje me realitetin.

Në fakt, duke propozuar një paketë të tillë antishpifje, kryeministri ia ka dalë vërtetë të hapë sadopak një debat, ndonëse akuzat janë aq të rënda dhe aq të shumta sa nuk ka paketë dhe nuk ka provokim që mund të vijë nga propaganda e kryeministrit që t’i davaritë plotësisht retë e errëta që rrinë mbi qeverinë dhe mbi të.

Pavarësisht kësaj ane të propozimit të kryeministrit, paketa antishpifje është problemtike edhe në lidhje me përmbajtjen e saj. Sigurisht, që nuk mbrohen kurrë në emër të lirisë së shprehjes as shpifja, as fjalët, ajo kategori e shprehjes që hyn te e ndyta dhe as fjalët apo ajo kategori e shprehjes që hyn te “fjalët luftarake” apo ato që nxisin urrejtje etnike, fetare etj. Një problem i parë dhe i madh është se kryeministri flet për shpifjen dhe jo për gjuhën e uurejtjes, fjalët luftarake, të ndytën etj dhe kjo tregon se ka vetëm hallin e tij siç e thamë më lart.

SHBA është një nga vendet me lirinë e shprehjes më të mbrojtur në botë, por edhe një nga vendet që prodhuan debat, diskutim, mendim filozofik apo jurisprudencë më shumë se kushdo.  ‘Shpifje’ konsiderohet një gënjeshtër që dëmton reputacionin e dikujt. Por, thotë Gjykata Supreme, jo çdo deklaratë që dëmton reputacionin e dikujt është shpifje. Që të jetë shpifje ajo duhet të jetë një mospërputhje e plotë me faktet. Gjykata Supreme në një çështje thotë se shpifje do të ishte nëse do të thuhej se dikush e ka emrin në regjistrin e të dënuarve për ngacmim seksual në një kohë që ai nuk e ka emrin, por nuk do të ishte shpifje në qoftë se do të hidheshin dyshime se një zyrtar ka shpërdoruar detyrën apo ka kryer korrupsion.

Me kaq është e qartë se ato që ka thënë media apo kushdo për Ramën, Xhafajn, Ballën, krimin, drogën, çështjen Xhisiela apo Babale, Tahirin, blerjen e votave, dhënien e PPP-ve etj., nuk bien në kategorinë e atyre që janë shpifje.

Sa i takon fjalëve ‘të ndyra’ Gjykata Supreme ka përcaktuar një test për to në mënyrë që të kuptohet nëse një fjalë apo një shprehje hyn tek ‘e ndyta’. Testi përshfin disa pika. 1- nqs një person me formim mesatar, që aplikon standardet bashkëkohore të komunitetit të tij, e sheh aktin e dyshuar të shprehjes së dikujt si të shtyrë nga epshi apo dhe interesi seksual, 2- nëse të shprehurit përshkruan dukshëm sjellje seksuale ose fjalor të tillë dhe 3- nëse të shprehurit me fjalor që përfshin fjalor apo nëkuptime të seksit i mungon seriozitetei letrar, artistik apo vlera shkencore. Është e qartë se shumë komente të njerëzve anonimë në faqet online përbëjnë  gjuhë apo shprehje të ndytë. Aty ka sharje me fjalor seksual nga më të rëndët.

Por, edhe vetë gjuha e kryeminstrit shqiptar bie në shumë raste në këtë kategori shprehjeje të ndaluar. Në shumë raste kryeministri i përdor këto fjalë apo këtë të shprehur. Ai ka thënë ‘nuk i ngrihet’, ose ka pyetur një deputete ‘ku e lage?’, dikujt i kujton burrin dhe dikujt gruan, dikujt i kujton organin seksual mashkullor dhe dikujt një gjë tjetër seksuale etj.

 

Në lidhje me fjalët luftarake, Gjykata Supreme në SHBA ka thënë se në këtë kategori futet çdo e shprehur që mund të shkaktojë “thyerje apo prishje të menjëhershme të paqes”. Pra, çdo e folur apo çdo lloj i shprehuri tjetër që shkakton menjëherë prishje të paqes është e ndalur thotë Gjykata Supreme në çështjen ‘Chaplinski vs. Neë Hampshire’. Për shembull, nqs dikush i bërtet dikujt përpara fytyrës konsiderohet e palejueshme, ndërsa e bërtitura nga larg hyn në kategori tjetër pasi njëra shkakton prishje të menjëhershme të paqes. Ose sharjet, fyerjet që mund të çojnë në prishje të paqes, në përleshje, në grindje etj., janë të ndaluara.

Mediat dhe sidomos ato online, deputetë apo personazhe të tjerë publikë, e përdorin dendur këtë kategori të shprehuri. Në këtë kuptim, sigurisht që mediat, ata që shkruajnë dhe ata që komentojnë duhet të vihen përballë një rregulli që i ndalon. Por, edhe vetë gjuha e kryeminstrit është e tillë që çon ose mund të çojë në “prishje imediate të paqes”. Kush e di se sa herë  kryeministri ka fyer, ka përdorur fjalë luftarake, ka bërtitur në parlament duke çuar në prishje imediate të paqes dhe duke u rrethuar nga Garda. Kryeministri e quajti oficerin Nuhu ‘horr’, ose e quajti oficerin Zagani ‘njeri të krimit’. Kryeministri i ka quajtur, ballë për ballë, disa deputetë ‘debilë’, ‘idiotë’ etj. Kaq mjafton.

Kështu që nuk kemi nevojë për një paketë antishpifje, nuk kemi nevojë të mbrojmë qeverinë nga mediat apo nga shpifja, por të mbrojmë publikun, njerëzit dhe mediat nga qeveria.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne