Disa penalitete në vlerë fikse që aplikohen ndaj bizneseve do të bëhen proporcionale në bazë të dëmit që krijojnë në buxhet.
Paketa e re fiskale që është depozituar në Kuvend parashikon që të këtë një rregullim të ri të formës së llogaritjes së dënimit për mospagimin e kësteve të tatimit mbi fitimin korporativ dhe mbi të ardhurat personale, në përputhje me parimin e proporcionalitetit, në bazë të të cilit dënimi duhet të jetë në përputhje me efektin që ka prodhuar në buxhetin e shtetit mospagimi në afat i detyrimit tatimor.
Kështu, përcaktohet se për tatimpaguesit e regjistruar për TVSH-në, përveç masës së gjobës, bëhet vlerësim tatimor për tre muajt e fundit, duke përdorur metodat alternative, nëse shkeljet e përkatëse janë konstatuar për herë të dytë brenda vitit kalendarik, dhe të dy herët në kuadrin e një kontrolli tatimor “verifikim në vend”.
Sipas parashikimit ligjor aktual, zbatimi i nenit 123, ku parashikohen dënimet përkatëse në rastet kur konstatohen diferenca inventariale midis inventarit fizik dhe atij kontabël sjell detyrime joproporcionale me shkeljen e konstatuar, pasi, për një diferencë në vlerë të vogël, vlerësimi 3-mujor mund të prodhojë detyrime tatimore në mënyrë të konsiderueshme joproporcionale me tatimin e shmangur.
Në kuadër të zbatimit të dispozitave të marrëveshjeve për shmangien e tatimit të dyfishtë parashikohet vendosja e dënimeve përkatëse lidhur me mosdërgimin në kohë të dokumentacionit për zbatimin e këtyre marrëveshjeve.
Ky projektligj propozon gjithashtu disa ndryshime në termat e përdorur në ligjin për procedurat tatimore, në mënyrë që terminologjia e përdorur në këtë ligj të jetë në koherencë me terminologjinë e përdorur në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”./Monitor