Pakistani kërkon ndjekjen penale të autoriteteve indiane për “terrorizëm shtetëror në Kashmir”

Pakistani i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndjekë penalisht autoritetet civile dhe ushtarake indiane për terrorizëm shtetëror dhe krime të rënda kundër njerëzimit në rajonin Xhammu Kashmir të Indisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Që nga viti 1990, ‘ushtria okupuese’ indiane ka vrarë më shumë se 100.000 banorë të Kashmirit, 22.000 gra i ka lënë të veja, 108.000 fëmijë jetimë dhe më shumë se 11.000 gra janë përdhunuar”, tha në një deklaratë ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi.

Qureshi tha gjithashtu se terrorizmi shtetëror në Xhammu Kashmir është intensifikuar që nga “rrethimi ushtarak” më 5 gusht 2019.

Në deklaratë, Qureshi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndjekë penalisht autoritetet civile dhe ushtarake indiane për terrorizëm shtetëror dhe krime të rënda kundër njerëzimit në Xhammu Kashmir, duke dënuar burgosjen e liderëve politikë, rrëmbimin e 13.000 të rinjve nga Kashmiri, përdorimin e forcës “së pamëshirshme” ndaj protestuesve paqësorë, ndëshkimin kolektiv dhe ekzekutimet jashtëgjyqësore.

– Heqja e statusit special të Xhammu Kashmirit

Me ndryshimin kushtetues të miratuar më 5 gusht 2019, India ia hoqi statusin e veçantë të Xhammu Kashmirit, shfuqizoi qeverinë rajonale dhe ndau rajonin në dy territore të veçanta të lidhura me qendrën.

Pas vendimit, forcat indiane të sigurisë intensifikuan operacionet e rendit publik dhe presionin mbi popullatën në Xhammu Kashmir, kufizuan internetin, telefonin dhe transportin, përveç kufizimit të lëvizjes, si dhe arrestuan drejtuesit dhe anëtarët e partive lokale në rajon./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne