Pakistani: OKB-ja t’i përmbahet premtimit të saj lidhur me Kashmirin

Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi rinovoi të enjten mbështetjen e Islamabadit për të drejtën e popullit të Xhamu Kashmirit për vetëvendosje, duke i bërë thirrje OKB-së të “zbatojë premtimin e saj” për referendum në rajonin e diskutueshëm. Alvi tha se e drejta për vetëvendosje është “parim i lartë i së drejtës ndërkombëtare, i mbështetur në shumë traktate thelbësore të OKB-së”. Mbështetja e ripërtërirë e Islamabadit për të drejtën e popullsisë së Kashmirit për vetëvendosje vjen në prag të 5 janarit, kur OKB-ja tha në vitin 1949 se e ardhmja e Xhamu Kashmirit do të vendosej përmes referendumit të lirë dhe të drejtë, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Rezolutat e OKB-së për Kashmirin kishin ardhur si pasojë e një lufte të plotë midis Pakistanit dhe Indisë së sapokrijuar.

“Për dekada, kjo është riafirmuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në rezolutën e saj vjetore mbi vetëvendosjen. Megjithatë, 76 vitet e fundit të pushtimit indian të Xhamu Kashmirit janë një histori e trishtuar e shtypjes së popullit të Xhamu Kashmirit”, tha Alvi në një deklaratë.

Duke akuzuar New Delhin për “shkelje” të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ligjeve ndërkombëtare humanitare, ai theksoi se: “India po përpiqet të nënshtrojë popullin e Kashmirit përmes taktikave shtypëse”.

New Delhi ende nuk i është përgjigjur akuzave të Alvit. “OKB-ja duhet të respektojë angazhimet e bëra 75 vjet më parë dhe të mbështesin luftën e popullit të Kashmirit për vetëvendosje”, tha presidenti pakistanez. Populli i Kashmirit dhe pakistanezët çdo vit e shënojnë këtë ditë më 5 janar, me tubime dhe seminare duke kërkuar që OKB-ja të zbatojë rezolutat e saj dhe të zgjidhë mosmarrëveshjen e Kashmirit.

Ndërkohë, një grup ndërkombëtar avokues me bazë në Islamabad, Forumi Ligjor për Kashmirin, dokumentoi ngjarje konflikti në Kashmirin e administruar nga India në vitin 2023 dhe pretendoi se 248 persona u vranë vitin e kaluar, përfshirë ushtarë indianë, civilë dhe militantë. “Operacione të mëdha dhe kërkimi u kryen nga forcat indiane në rajon ndërsa 138 shtëpi banimi u shkatërruan”, thuhet në dokumentin e grupit ndërkombëtar.

– Çështja e Kashmirit

Britania e Madhe gjatë tërheqjes së saj nga India në vitin 1947, la të lirë Kashmirin i cili ishte nën sundimin e princit, që t’i bashkohet Indisë ose Pakistanit. 90 për qind e popullatës së Kashmirit e cila është muslimane në vitin 1947 doli me qëndrimin që t’i bashkohet Pakistanit, por princi i asaj kohe, vendosi të bashkohet me Indinë në vend të Pakistanit. Por, këtë vendim e kundërshtoi popullata muslimane e Kashmirit.

Pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët luftuan për herë të parë në vitin 1947. Të dy vendet për të njëjtin shkak luftuan edhe në vitet 1965 dhe 1999. 45 për qind e Kashmirit është nën kontrollin e Indisë ndërsa 35 për qind nën kontrollin e Pakistanit. 20 për qind e rajonit është nën kontrollin e Kinës. India, rajonet të cilat i okupoi i lidhi me vete nën emrin provinca “Xhamu Kashmir”.

Xhamu Kashmir është provinca e vetme e Indisë ku jeton shumicë muslimane. Ndërsa Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome “Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)” dhe “Gilgit Baltistan”. India më 5 gusht të vitit 2019 duke anuluar nenin 370 kushtetues që i njeh Kashmirit statusin e veçantë për më shumë se gjysmë shekulli, eliminoi strukturën me status të veçantë të rajonit dhe e ndau Xhamu Kashmirin në territorin e dy njësive.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së me vendimin e marrë nga viti 1948 kishte parashikuar pastrimin e Kashmirit nga ushtarët ndërsa e ardhmja t’i caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin ndërsa Pakistani kërkon të zbatohen vendimet e KS të OKB-së./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne