Opinion

Pakti Rama- Basha pazar i politikës së vjetër

Analisti Fatos Lubonja tha sot se dyshja Rama- Basha më shumë se sa një zgjidhje për krizën u ofruan përsëri shqiptarëve pazarin e vjetër në kurriz të demokracisë.

Lubonja nuk e ka fshehur aspak zhgënjimin për mënyrën sesi kjo marrëveshje u arrit ndërsa u shpreh se: “Nga forma sesi u bë marrëveshje nuk mund të ketë shpresë për një Republikë të Re. Lulzim Basha u takua me Ramën ashtu si Rama u takua me Metën tek ngjalat apo tek restorant peshku. Kjo na kujton çadrën e Krokodilit. Kjo na tregon se është një lloj armëpushimi apo ndarje pazaresh dhe shumë shpejt do të ndjehemi të zhgënjyer për ato që ka pritur populli shqiptar nga ato që ka folur Bashan në cadër. Një lehtësim e kam se ndoshta mund të kishim shkarë më keq”.

Por nuk është ndalur me kaq, Lubonja është shprehur se nga kjo marrëveshje mund të ketë edhe detaje që në thelb të tyre synojnë eleminimin e LSI-së nga spekteri politik: “Nuk e di sesi deri në datën 25 vjeçare mund të jepen garanci për zgjedhjet. Djalli fshihet në detaje dhe ne duhet të shohim detajet se çfarë pazari është bërë. Një nga pazaret mund të ketë qenë eleminimi i LSI-së sepse dalja nga koalicioni mund të rrezikojë LSI-në”.

Lubonja thotë se me këtë lëvizje duket se Republika e Re vdiq akoma pa u ngjizur ndërsa është ndalur më gjatë në këtë pikë.

“Unë gjithmonë kam shprehur dilema nëse PD mund të prodhonte dicka të re. Zhgënjimi ishte se mendohej se mund të ngjitej diçka e re jashtë pazareve. Nuk më pëlqeu fare që u vendos gjithëcka nga një takim Rama-Basha 3 orë kokë më kokë. A nuk denonconte këto modele takimesh ‘Rama-Meta’, Lulzim Basha gjatë qëndrimit në Çadër. Unë një lëvizje e doja të ishte më shumë si një lëvizje që do të përfshinte edhe njerëz të tjetrë jashtë partisë. Deri dje thuhej se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira, dhe ai shkon e mbyllet me Edi Ramën në një dhomë. Unë mendoj se nëse vërtetë e ke seriozht për të bërë një Republikë të Re atëhere marrëveshja e djeshme është një zhgënjim. Jemi peng të kastës së vjetër të bashkuar që tentoi një fortunë në gotë ujë që tashti me ndërhyrjen e ndërkombëtare u shua. Ne nuk mund të presim një Shqipëri demokratike, kur klasa politike sillet si fëmijë dhe sa herë ata arrijnë në këtë pikë ndërhyjnë ndërkombëtarët dhe e zgjidhin. Ne jemi viktimë e këtyre lojërave. Ndërkombëtarët kanë hallin e stabilitetit, hallin e biznesneve që përfaqësojnë dhe kjo është e gjitha”- ka deklaruar më tej Lubonja.

Kryetari i PS-së, Edi Rama dhe ai i PD-së, Lulzim Basha u takuan sot për 5 orë me njëri- tjetrin. në Pallatin e Kongreseve, pas një takimi mbi tre orë që kishin patur një ditë më parë deri në orët e vona pas mesnate. Në fund të takimit të sotëm mes tyre, palët publikuan një marrëveshje, ku PD dhe partitë e opozitës do të regjistrohen në zgjedhje, por koalicionet parazgjedhore konsiderohen të përfunduara.