Ekonomi

Parashikimi për krizën post-TAP në Shqipëri

Revista ekonomike “Monitor” shkruan se ekonomia shqiptare po i ekspohet një krize të afërt për shkak të mungesës së investimeve të huaja të mëdha. Në një shkrim dedikuar kësaj teme, revista vë në dukje se dy investimet kryesore, gazsjellësi Transadriatik dhe HEC i Devollit po shkojnë drejt fundit.

Indirekt, bazuar në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, stoku i investimeve nga Zvicra, shteti nga i cili raportohen investimet nga TAP, ishte rreth 1.3 miliardë euro në fund të 2018-s, çka nënkupton se mbi 80% e investimit është kryer tashmë, duke mbetur rreth 200 milionë euro për 2019-n.

Edhe investimi tjetër i madh, ai i hidrocentraleve që po ndërtohen mbi lumin Devoll nga kompania Statkraft është drejt fundit. HEC-i i Banjës tashmë është funksional, ndërsa HEC-i i Moglicës po përparon me shpejtësi. Burime zyrtare nga Statkraft thanë se në vitin 2018, investimet ishin rreth 86 milionë euro dhe në 2018-n, ato priten në rreth 73 milionë euro, ndërsa dhe HEC-i i dytë parashikohet që të përfundojë në 2019-n. Investimi total i Devollit është 590 milionë euro, sipas burimeve zyrtare.

Në total, nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga këto dy projekte të mëdha, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht

Sipas kësaj reviste në vitin 2018 investimet e huaja, për shkak të punimeve në këto dy projekte arritën në 1 miliardë euro çka dëshmon peshën specifike të tyre për ekonominë shqiptare.

Përfundimi i këtyre veprave do të lërë një boshllëk që nuk mund të mbushet nga sektorë të tjerë, si telekomunikacioni apo sektori bankar, për arsye se në të parin pritmëri për investime serioze ka vetëm nga operatori i ri T, kurse në të dytin numri i bankave është reduktuar dhe vetë sektori është përfshirë në një proces ristrukturimi.

Të gjithë këto tregues pritet të vënë në diskutim parashikimet për rritjen ekonomike dhe Monitor nënvizon se kjo ka qenë arsyeja pse FMN uli parashikimet për ekonominë shqiptare.

Megjithatë revista ka anashkaluar dy elementë që do ta plotësonin kuadrin më mirë: ndërtimin dhe kompaninë Shell.

Për investimet në ndërtim, revista ka shkruar shpesh se intensifikmi i investimeve në të nuk përkon me kreditimin bankar, e megjithatë ai po ecën shpejt dhe mesa duket paratë nuk mungojnë.

Për sa i përket kompanisë Shell, pak ditë më parë kryeministri Edi Rama u shpreh optimist nga Berati kur paralajmëroi se pritmëritë janë shumë të mëdha. Të dhënat paraprake flasin për rezerva shumë të mëdha në Shpirag dhe nëse ato konfirmohen atëherë influksi i parave do të rritet ndjeshëm edhe për shkak të marrëveshjes hidrokarbure që është nënshkruar. A do të jetë i ndjeshëm për vitin 2019 një gjë e tillë? Kjo nuk dihet, por nëse Shell do të konfirmojë për vitin 2020 padyshim që ai mund të zëvendësojë të paktën TAP.

 

OPINIONE