Parlamenti britanik i thotë “Jo” marrëveshjes së kryeministres May për BREXIT-in

Deputetët britanikë kanë votuar kundër marrëveshjes së kryeministres Theresa May për shkëputjen nga Bashkimi Evropian, shkruajnë mediat britanike.

Vota që është vlerësuar më domethënësja ndonjëherë është zhvilluar në orët e vona të ditës së martë, pas një debati disa orësh rreth marrëveshjes për “Brexit”.

Një vendim i tillë ka ardhur edhe pse May u kishte bërë thirrje të gjithë politikanëve ta mbështesin marrëveshjen e saj.

Kryeministrja britanike iu është adresuar deputetëve të Parlamentit, në përpjekjen e fundit të saj për të siguruar mbështetje për marrëveshjen, përcjell Telegrafi.

Ajo ka thënë se një referendum i dytë do të krijonte një përçarje të mëtejshme.

Sipas saj, “jo marrëveshje” do të thoshte jo partneritet të sigurisë me BE-në.

Ajo gjithashtu tha se marrëveshja e saj ofron bazën për një partneritet ekonomik afatgjatë me BE.

May thotë që disa njerëz mendojnë se, duke mos votuar këtë marrëveshje, ata mund të dërgojnë qeverinë përsëri në Bruksel për të nxjerrë një marrëveshje më të mirë.

“Por BE nuk do të rihapë bisedimet”, tha ajo, shkruajnë mediat britanike, përcjell Telegrafi.

Duke përsëritur thirrjen për të votuar pro saj, May tha se një votë kundër marrëveshjes së saj është një votë për “pasigurinë, ndarjen dhe rrezikun shumë real të asnjë marrëveshje”.

Ndryshe, paraprakisht udhëheqësi i “Labour Party”, Jeremy Corbin ka thënë se kjo ka qenë një nga kohët më kaotike që ka përjetuar si deputet.

Corbyn ka thënë se nuk ka qartësi për të ardhmen në dokumentin e partneritetit të ardhshëm.

“Sekretari i mëparshëm i Brexit – një nga ish-sekretarët e Brexit – premtoi një dokument ‘të hollësishëm’, ‘të saktë’ dhe ‘substancial’. Qeveria dështoi ta dorëzojë atë. Kështu që unë konfirmoj se Laburistët do të votojnë kundër kësaj marrëveshjeje sonte sepse është një marrëveshje e keqe për vendin”, ka thënë ndër tjerash Corbyn.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne