Bota

Parlamenti Kanadez miraton me 266 vota pro abuzimin kinez kundër ujgurëve si “gjenocid”

Kanadaja votoi për të emëruar abuzimin kinez të të drejtave të njeriut ndaj myslimanëve ujgurë si gjenocid, një përpjekje e qëllimshme për të shfarosur një grup njerëzish.

“Një gjenocid aktualisht po kryhet kundër ujgurëve dhe muslimanëve të tjerë turq”, thuhet në mocionin i cili u miratua nga Parlamenti Kanadez me 266 vota “pro” dhe asnjë “kundër”.

Parlamenti votoi gjithashtu 229-29 për të lobuar komitetin olimpik për të zhvendosur Lojërat Olimpike nëse Kina nuk ndalon gjenocidin.

Kryeministri Justin Trudeau kishte hezituar të emëronte në këtë mënyrë trajtimin kinez ndaj ujgurëve, por katër partitë politike të opozitës kishin më shumë vota se qeveria liberale e pakicës dhe u bashkuan për të kaluar mocionin.

I gjithë kabineti i kryeministrit Trudeau me 35 ministra abstenoi nga votimi për mocionin që u paraqit nga Partia Konservatore. Megjithatë, asnjë liberal nuk votoi kundër mocionit.

Javën e kaluar, kur mediat raportuan për votimin e ardhshëm, qeveria kanadeze tha se dëshiron më shumë hetime para se të përdorte etiketën “gjenocid” dhe se vendet aleate duhet të bashkoheshin së bashku për një front multilateral në zbatimin e situatës si gjenocid.

Ministri i Financave Marc Garneau, tha se Kanadaja sigurisht nuk po e injoron gjendjen e ujgurëve.

“Ne jemi të shqetësuar seriozisht”, tha ai duke shtuar: “Ne qartë ia kemi deklaruar këtë qeverisë kineze”.

Raportet e para të keqtrajtimit u shfaqën në vitin 2017 dhe që nga ajo kohë rreth një milion ujgurë janë vendosur në mbi 400 kampe përqendrimi.

OKB dhe media të ndryshme kanë raportuar për mizoritë, duke thënë se pakica e ujgurëve në kampet e internimit i nënshtrohet sulmeve seksuale, sterilizimit të detyruar, rrahjeve dhe abuzimeve të tjera. Rreth 10 milionë ujgurë banojnë në provincën Xinjiang.

Në një konferencë për media të thirrur dje nga konservatorët, një grua ujgure e cila ishte punësuar për të dhënë mësim kinezisht në një nga kampet në vitin 2017 tha se ishte dëshmitare e abuzimit nga dora e parë: kërcënime, përdhunime dhe abuzime të tjera.

“Askush nuk duhet t’i nënshtrohet një mizorie të tillë”, tha Kalbinur Tursun.

Qeveria e Pekinit mohon që ujgurët keqtrajtohen. Televizioni shtetëror tregon ujgurët në klasa të pastra, duke buzëqeshur dhe duke shijuar mësimet e tyre në “qendrat e riedukimit”, ku ata mësohen të heqin dorë nga aktivitetet ekstremiste dhe të mësojnë profesione.

Kinezët tregojnë një shembull të ekstremizmit kur në vitin 2014 ujgurët e armatosur me thika vranë 31 persona në një stacion treni.

Por provat tregojnë se ata u nënshtrohen programeve indoktrinuese psikologjike që synojnë t’i bëjnë ujgurët të adhurojnë presidentin Xi Jinping dhe të mësojnë propagandën komuniste. Po ashtu, ujgurët përdoren si fuqi punëtore e lirë për të prodhuar mallra që shiten në Kinë dhe në tregun ndërkombëtar.

Para votimit, organizata për të drejtat e njeriut “Drejtësi për të gjithë Kanadanë” u bëri thirrje anëtarëve të saj të kontaktojnë deputetët e zonave të tyre dhe t’i inkurajojnë ata të votojnë “po”.

“Është e domosdoshme që Qeveria jonë Federale të veprojë sipas detyrimeve të saj ligjore ndërkombëtare për të parandaluar persekutimin dhe gjenocidin e pakicave etnike të panjohura”, tha organizata në një njoftim.

OPINIONE