Bota

Parlamenti i Turqisë miraton vendimin rreth kompetencave për operacione në Irak dhe Siri

Në Asamblenë e Përgjithshme të Parlamentit të Turqisë u miratua vendimi në lidhje me zgjatjen edhe për një vit të kompetencave të dhëna Qeverisë së Turqisë për kryerjen e operacioneve përtej kufijve, në Irak dhe Siri, raporton Anadolu Agency (AA).

Vendimi u miratua nga një shumicë e madhe në kuvend, ku deputetët nga Partia Popullore Republikane (CHP) dhe Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) u bashkuan me deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në mbështetje të vendimit, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Popujve (HDP) votuan kundër.

Vendimi i parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme erdhi pasi qeveria rajonale kurde e Irakut refuzoi të anulojë planet e saj për zhvillimin e një referendumi të pavarësisë, të vendosur për të hënën e ardhshme, më 25 shtator.

Vendimi i paraqitur nga qeveria e kryeministrit Binali Yildirim, kishte lejuar më parë ushtrinë turke të kryejë operacione ndërkufitare nga 2 tetor 2016, deri më 31 tetor 2017.

Së bashku me Bagdadin, Turqinë, SHBA-të, Iranin dhe OKB-në të gjithë janë shprehur kundër referendumit, duke thënë se kjo jo vetëm që do të krijojë shkëputje nga lufta në vazhdim kundër DEASH-it, por dhe do të destabilizojë më tej rajonin./ AA

OPINIONE

INTERVISTA