Pas një pauze mbi 10-vjeçare, rikthehen fluturimet mes Athinës dhe Shkupit

 Pas një pauze më shumë se një dekadeshe, kompania ajrore greke “Aegean Airlines” ka realizuar fluturimin e parë të linjës së drejtpërdrejtë mes Athinës dhe Shkupit, aeroplani i së cilës sonte u ul në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi nga Aeroporti Ndërkombëtar i Athinës.

Duke filluar nga sot, kompania ajrore greke dy herë në javë do të ofrojë linja të rregullta nga Athina në Shkup dhe anasjelltas. Pjesë e fluturimit të parë nga Athina në Shkup, me aeroplanin me 78 ulëse “Bombardier DH4”, ishte edhe zv/kryeministri i Maqedonisë për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili për një vizitë pune udhëtoi sot me makinë zyrtare në Athinë.

Pas uljes në aeroportin e Shkupit, Osmani theksoi se kjo linjë ajrore midis Shkupit dhe Athinës në mënyrën më të mirë simbolike tregon ngrohje të marrëdhënieve të këtyre dy vendeve fqinje në nivelin e partneritetit strategjik.

Sipas tij, kjo po ashtu është një përfitim praktik për zhvillimin e biznesit dhe lidhjeve midis kompanive ajrore të të dy vendeve, TAV Maqedonia dhe Aegean Airlines, gjë që siç tha ai, është qëllimi kyç i ngrohjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

Më tej, Osmani bëri të ditur se në Athinë është takuar me ministrin alternativ grek për Punë të Jashtme, Georgios Katrougalos, ku siç tha, zhvilluan bisedime në aspektin politik dhe për të intensifikuar bashkëpunimin midis dy vendeve në shumë fusha.

“Sot pata mundësinë të takohem me ministrin alternativ Katrougalos, me të cilën biseduam për tema kryesore nga aspekti politik, por edhe në pjesën e BE-së. Së bashku erdhëm edhe deri në aeroport, ku simbolikisht e filluam nisjen për në Shkup dhe komunikimin, që pres të jetë më i madh dhe më konkret”, deklaroi Osmani.

Zv/kryeministri maqedonas ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve i Maqedonisë, Goran Sugarevski, drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Alper Ersoy, si dhe nga drejtori i operacioneve në terren i Aegean Airlines, Panos Nicolaidis. Ata së bashku morën pjesë në manifestimin me rastin e nisjes së kësaj linje ajrore, e cila u organizua në Shkup nga “TAV Maqedoni”, kompania që operon me aeroportet maqedonase.

Ministri Sugarevski, nga ana e tij, theksoi se me këtë linjë ajrore rritet integrimi i Maqedonisë në rajon dhe se në periudhën e mëtejshme nga Qeveria e Maqedonisë do të investohet edhe më shumë në pjesën e trafikut ajror.

“Linja ajrore Shkup-Athinë do të jetë me një rëndësi të madhe edhe për sektorin e biznesit të qytetarëve maqedonas dhe atyre grek”, theksoi Sugarevski.

Në vitin 2004 kompania ajrore greke ndërpreu fluturimet drejt Shkupit dhe anasjelltas, kur marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan shkaku i emrit të mëparshëm të aeroportit të Shkupit. Si pjesë e bisedimeve midis dy vendeve fqinje, Maqedonia në muajin mars e ndryshoi emrin e aeroportit nga “Aleksandri i Madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi”.

Ndryshe, pas ndryshimit të qeverisë maqedonase që vijoi pas zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të vitit 2016, marrëdhëniet midis Maqedonisë dhe Greqisë janë përmirësuar ndjeshëm, veçanërisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës midis qeverive të të dy vendeve, e cila kërkon ndryshimet kushtetuese përfshirë ndryshimin e emrit të vendit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”, me qëllim anëtarësim të vendit në NATO dhe hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne