PD kundër mandatit tjetër të Gjinushit, Akademia e Shkencave: Opozita mashtron opinionin publik

Një projektligj i propozuar në komisionin e Edukimit dhe Medias nga dy deputetët e mazhorancës, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, konsiderohet nga deputetët e PD-së, Açka e Zhupa si një manovër për të mbajtur akademikun, Skënder Gjinushin në krye të Akademisë së Shkencave përgjithmonë.

Për këtë kritikë, ka pasur një reagim nga Akademia e Shkencave ku cilëson skandaloze mashtrimin publik që bën opozita. Në reagim thuhet se nuk ka asnjë cungim të projektligjit dhe se është tërhequr vetëm një amendament shtesë nga vetë propozuesit për arsye proceduriale. Sipas Akademisë, thuhet se këtë fakt disa duan ta përdorin për të bllokuar procedurën e miratimit të projektligjit dhe reformën e ASHSH.

“Projektligji aktual për Akademinë e Shkencave, nismë  ligjore e dy deputetëve, Ismet Beqiri e Petro Koçi, është një qind për qind ai i propozuar së pari e mbështetur nga Asambleja e Akademisë. Nuk ka asnjë cungim të projektligjit, është tërhequr vetëm një amendament shtesë nga vetë propozuesit për arsye proceduriale.

Projektligjit për disa ndryshime në ligjin për Akademinë e Shkencave nuk i është ndryshuar asnjë germë referuar variantit të miratuar në Asamble, që është i njëjti me atë të kthyer në iniciativë parlamentare nga dy deputetë të nderuar, Ismet Beqiri e Petro Koçi.

Amendamenti i vetëm i tërhequr para disa ditësh është një propozim i ri, që ka të bëjë me bartjen e fondeve, propozim i cili nuk ka marrë mbështetjen me shkrim të Ministrisë së Financave dhe në këto rrethana nuk mund të shqyrtohet në Kuvend.

Këtë fakt disa duan ta përdorin për të bllokuar procedurën e miratimit të projektligjit dhe reformën e Akademisë së Shkencave. Dështimi kësaj taktike i detyron të gënjejnë opinionin publik dhe të sajojnë skandale të paqena. Ndërkohë, çdo qytetar e di se tërheqja e një amendamenti nga vetë propozuesi është e drejta e tij dhe ky veprim nuk ka pse të indinjojë kerkënd. Aq më tepër kur kjo bëhet për arsye proceduriale dhe për pengesa që nuk vijnë prej tij.

Me këtë rast, ne shprehim dhe një herë mbështetjen për këtë projektligj në emër të 52 antarëve firmëtarë të Asamblesë së Akademisë së Shkencave së Shqipërisë.”- thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.

Pas reagimit të Akademisë së Shkencave në emër të dy deputetëve që kërkuan Skënder Gjinushin kryetar përjetë të Akademisë së Shkencave, deputetja Ina Zhupa thotë se po ushtrojnë presion ndaj Kuvendit të Shqipërisë.

“Uzurpuesit në Akademinë e Shkencave të mos guxojnë t’i bëjnë presione Kuvendit të Shqipërisë! Skënder Gjinushi mban peng Akademinë për interesat dhe ambiciet personale.

Pasi pranoi hapur që ishte ai vetë dhe kryesia që bënin propozimet për ti dhënë vetes mandat të dytë, në konflikt të pastër interesi, duke hedhur në erë gjithë fshehjen 7 mujore si propozim i Koci-Beqiraj, tani kërkojnë që kuvendi të bëhet shkelës i ligjit dhe procedurave për interesat e tyre.

SKANDAL dhe SUPER SKANDAL kur këto shkelje dhe mashtrime bëhen nga një institucion që duhet ishte elitar.

1- Gënjehet kuvendi si një projektligj i deputetëve, duke argumentuar se infon e kanë marr në analizat vjetore të akademisë, asnjë fjalë në relacion që vjen nga Gjinushi për Gjinushin derisa e pranon ai vetë!

2- Ndryshohet projektligji disa herë rrugës, me 4-5 drafte derisa në fund lihen nenet e kopsitura vetëm për Gjinushin edhe kryesinë. E palejuar nga procedura parlamentare të ndryshohet projetligji. Nëse e tërheqin projektligjin do ishte në nderin e tyre.

3- Për projektligjin me porosi duhet kërkuar mendim nga Këshilli Ministrave në cilësinë e autoritetit përgjegjës për hartimin dhe propozimin e ndryshimeve të ligjit të Akademisë së Shkencave. Gjinushi e ka me shpejtësi se është në shkelje të ligjit por ne nuk do shkelim detyrimet tona proceduriale për interesat e tij.

3- Nënkryetar i Akademisë së Shkencave Vasil Tole është pa mandat, i ka mbaruar mandati 4 vjecar. Kryesia e akademisë ka sot nënkryetar Z. Vasil Tole me mandat të mbaruar që në maj dhe nuk e bëjnë procedurën e rregullt të zgjedhjes së nënkryetarit të ri ka dy muaj.

4- Kryesia e akademisë po shkel ligjin dhe po mohon garën për kryetarin e ri të akademisë, fushatë që duhet ishte hapur sipas statutit që në 19 qershor! Mandati i Gjinushit mbaron në 19 korrik dhe praktikisht ska më kryetar akademia për kapricot e një individi.

5-Akademia sot duhet të ishte në fushatë zgjedhore për drejtuesit e saj dhe kuvendi ska asnjë të drejtë të ndryshoj rregullat e garës në mes të garës.

Jam e sigurt që jo 52 po asnjë akademik nuk është për shkeljen e ligjit dhe shkeljen e statutit të akademisë.

Kryetari uzurpator sot, kërkon me cdo kusht mandat të dytë pavarësisht sa ligje, procedura dhe nene të kushtetutës duhet të shkelen për të.

Boll është boll, kuvendi nuk mund te shkel ligjet dhe procedurat në funksion të një individi!”- thotë Zhupa./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne