PD nuk ka emër, do mbështesë kandidatët e pavarur për 6 bashkitë, Berisha: Nëse s’del njeri për 2 ditë, kandidojmë propozimet jopartiake

Kandidati do të regjistrohet si i pavarur në zgjedhje, por do të ketë përkrahjen e të gjithë partive opozitare.

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur që të mbështesë të gjithë kandidatët e pavarur që do të synojnë të kandidojnë në zgjedhjet e parakohshme në 6 bashki të vendit, duke mos propozuar asnjë emër konkret në mbledhjen e sotme.

Pas mbledhjes së Kryesisë, kryedemokrati Sali Berisha ftoi të gjithë personalitet që të kandidojnë si të pavarur.

“Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoi dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura. Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së. Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare.
Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera. Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur”.
Por çfarë ndodh nëse nuk del asnjë kandidat i pavarur apo ka më shumë se 1 kandidaturë?

“Do zgjedhim se cili gjykohet më i zgjedhshëm…. një njeri që të ketë aftësitë për të bindur më shumë se kushdo tjetër qytetarët. Do jenë diskutimet që do ta zgjedhin. Nëse s’del asnjëri janë të pavarurit e propozuar nga partitë”, tha Sali Berisha.

Kryedemokrati bëri të ditur se për këtë do të ketë një afat prej 2-ditor. Nëse nuk del asnjë kandidat i pavarur brenda dy ditësh, atëherë do të zgjidhet një nga propozimet e figurave jopartiake.

Edhe në këtë rast, kandidati do të regjistrohet si i pavarur në zgjedhje, por do të ketë përkrahjen e gjithë opozitës.

“Mendoj  se dy ditët e ardhshme do ishte e përshtatshme. Ftoj personalitetet e këtij vendi të guxojnë sepse ne i mirëpresim me shumë sinqeritet”.

Kështu, partia më e madhe opozitare po pret një figurë të pavarur të vetëofrohet, ose në rast të kundërt do të kandidojë një nga emrat jo partiakë që janë vendosur në tavolinë në takimet me aleatët.

Në 9 nëntor do të ketë zgjedhje të parakohshme në 6 bashki të vendit; Tiranë, Vlorë, Tepelenë, Mat, Cërrik dhe Berat. Fushata elektorale për këto zgjedhje të pjesshme do të nisë më 1 nëntor.

Përveç Tiranës ku janë zyrtarizuar si kandidatura Ogerta Manastirliu nga PS dhe Arlind Qorri i Lëvizjes Bashkë, në asnjë bashki tjetër nuk ka kandidat zyrtar./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne