Shqiperia

PD: Po bëni lojë me ligjin e plehrave. Votojmë dekretin e Presidentit dhe shkojmë në referendum

Partia Demokratike ka reaguar ashpër lidhur me veprimin e PS që deklaroi tërheqjen nga ligji i plehrave. Çështja që shtrohet është se si do tërhiqet mazhoranca nga ligji, kur në fakt në sirtarët e Kuvendit është një dekret i ish-Presidentit Nishani që rrëzon këtë ligj. Dekreti nuk është futur për votim në Parlament prej 1 viti. Dhe PD pikërisht këtë gjë kërkon: Votim në Parlament të dekretit që rrëzon Ligjin. Po kështu PD kërkon referendum popullor që kjo temë të gjejë zgjidhje një herë e mirë dhe të mos bëhen lojëra politike.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Kuvendor të Veprimtarisë Prodhuese, kryetari socialist dhe nismëtar i këtij ligji, Eduard Shalsi u shpreh: “Nuk e di si do ta tërheqim në aspektin ligjor por do të ketë diskutim të gjatë. Ka pasur abuzime dhe manipulime të opinionit publik për këtë nismë. Si propozues kam rënë dakord që të tërhiqet për shkak të mjegullnajës së krijuar”.

Në përgjigje të tij, nënkryetari demokrat Florion Mima, u shpreh se loja e PS për plehrat duhet të marrë fund. Ai i kërkoi mazhorancës të fusë në rendin e ditës dy akte që mbahen peng nga PS prej muajsh.

“Lidhur me aktin që ju përmendët dhe mënyrën sesi do të tërhiqet kjo nisëm, meqënëse ende nuk jeni i qartë sesi do të tërhiqet akti, unë po ju them që ka vetëm një rrugë. Dekreti i Presidentit për pezullimin, për mosfutjen në fuqi të ligjit të mbetjeve, duhet validizuar, duhet sjellë në fuqi, dhe e vetmja rrugë për ta bërë këtë, është që ligji të bjerë, të rrëzohet me votim në Parlamentin e Republikës. Kjo nuk është shaka, ju jeni një nga iniciatorët e atij projektligji. Do të ishte nderin tuaj dhe të forcës politike që ju përfaqësoni ta sillni për votim dhe të gjithë deputetët e Parlamentit ta rrëzojnë me votën e tyre të lirë, të bindur se kështu i shërbejnë interesit publik”, tha Mima.

Mima, vuri në dukje, rrugën tjetër për të ndalur një herë e mirë importin e plehrave në Shqipëri.

“Së dyti , keni një kërkesë të opozitës, të legjislaturës së kaluar, e cila thotë se kjo cështje kaq madhore duhet ti drejtohet shqiptarëve, me anë të një referendumi . Sillni të validizuar kërkesën e opozitës për referendumin, lidhur me këtë cështje tejet të ndjeshme, dhe ta votojmë e ti hapim rrugë referendumit”, u shpreh Mima.

OPINIONE

INTERVISTA