Pendarovski: Për momentin nuk ka nevojë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme apo krize në të gjithë territorin

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se Këshilli i Sigurisë së vendit ka vlerësuar se për momentin nuk ka nevojë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme apo krize në të gjithë territorin për të luftuar koronavirusin.

Këshilli i Sigurisë së Maqedonisë së Veriut zhvilloi një seancë në pallatin presidencial “Villa Vodno” në Shkup, ku të pranishëm ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Vasko Gjurçinovski.

Siç njofton kabineti i presidentit Pendarovski, përfundimi unanim i të gjithë anëtarëve të këshillit është se duhet t’u jepet njohje e posaçme qytetarëve të komunave Dibër dhe Qendër Zhupë, ku tashmë është deklaruar gjendje krize. Njoftimi thekson se në këto dy komuna ka një mobilizim maksimal dhe i plotë i të gjithë stafit të kujdesit shëndetësor dhe se qytetarët atje në mënyrë korrekte po i zbatojnë të gjitha rekomandimet dhe masat e qeverisë.

“Përfundimi i Këshillit të Sigurimit në lidhje me situatën e përgjithshme dhe atë që ministri i Shëndetësisë ka parashtruar si një vlerësim të përhapjes së mundshme të sëmundjes më tej në territorin tonë është se pozicioni i shtetit në këtë kohë është i përshtatshëm, adekuat ndaj rreziqeve ndaj të cilëve jemi të ekspozuar, siç dëshmohet nga vlerësimet dhe komentet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat deri më tani pretendojnë se ne jemi shteti më i sigurt i rajonit më të gjerë që më së miri në mënyrë të vazhdueshme i zbaton masat e kërkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”, deklaroi Pendarovski.

Pendarovski tha se përfundimi i këshillit po ashtu është se nëse është e nevojshme në të ardhmen Këshilli i Sigurimit do të rekomandojë që qeveria të shpallë gjendje krize edhe në komunat tjera të vendit, përveç në këto dy komuna ku tashmë ka shpallur.

Siç tha ai, është e qartë se kjo krizë do të zgjasë dhe theksoi se patjetër është që burimet që posedojnë t’i “dimensionojnë në bazë të nevojave reale dhe rreziqeve reale”.

Pas takimit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se janë konfirmuar pesë raste të reja me koronavirus (COVID-19), duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve nga ky virus në vend në 24, njëri prej të cilëve është shëruar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne