Përgjigja e Penianit ndaj kërcënimit të Trump: “Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”

Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut e cilësoi fjalimin e Presidentit amerikan Donald Trump në Kombet e Bashkuara si zhurma e një qeni që leh.

Në fjalimin e tij, Trump tha se do të shkatërrojë totalisht Korenë e Veriut nëse kërcënon SHBA-në ose aleatët e saj. Por, ministri i Jashtëm koreanoverior injoroi fjalët e Trump dhe tha se ato nuk trembin e as habisin askënd, aq më tepër Korenë e Veriut. “Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara. Nëse Trump mendonte se do të na habiste me tingullin e një qeni që leh, ai po ëndërron”, tha ministri Ri Yong-ho. Fjalët e ministrit të Jashtëm ishin komentet e para të Koresë së Veriut për kërcënimet e Trump. I pyetur nga gazetarët se çfarë mendon për pseudonimin ironik “njeriu i raketës” që Trump i vendosi liderit Kim Jong-un, kryediplomati i Penianit tha se i vjen keq për ndihmësit e Presidentit amerikan. Ky i fundit me fjalimin e tij tentoi të tregojë vendosmërinë amerikane ndaj Koresë së Veriut, e cila, pavarësisht sanksioneve të panumërta të OKB-së, vazhdon pa u shqetësuar programin e saj bërthamor. Pritet që ministri i Jashtëm koreanoverior të mbajë një fjalim përpara Kombeve të Bashkuara ditën e premte. Ndërkohë ekspertët thonë se Peniani ka bërë progres të shpejtë në zhvillimin e programit bërthamor dhe raketave balistike me rreze të gjatë. Në 3 shtator, Koreja e Veriut deklaroi se kishte kryer testin e gjashtë dhe më të madh bërthamor, lëvizje që nxiti vendosjen e një pakete të re sanksionesh nga Kombet e Bashkuara./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne