Shqiperia

Përgjimet me grupin e Shijakut/ Dako në hetim për blerje votash dhe punësime të paligjshme

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është nën hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda për blerje votash dhe punësime të paligjshme në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.  Pas publikimit të përgjimeve të Dakos me grupin e Shijakut, ku është kapur duke folur para dhe pas zgjedhjeve të 2017, Report Tv mëson se kryebashkiaku i Durrësit është në hetim.

Dako së bashku me disa anëtarë të familjes Avdyli po hetohet për blerje votash, që pas konstatimit të bisedave me vëllanë e kreut të grupit të Shijakut në qershor të 2017. Hetimi për krim zgjedhor nuk është i vetëm, pasi Dako po hetohet edhe për punësime të paligjshme në njësitë administrative që drejton bashkia e Durrësit, pasi janë konstatuar ndërhyrje dhe emërime jashtë kritereve. Në ditët në vijim kryebashkiaku i Durrësit pritet që të thirret për të dhënë dëshmi në prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Po kush janë bisedat që sollën nisjen e hetimeve? Deri tani tre janë përgjimet e publikuara ku Dako flet me anëtarët e bandës së Shijakut. Në bisedën e parë në datë 24 qershor, një ditë para zgjedhjeve të 2017, dikush flet me Altin Avdylin i njohur me pseudonimin ‘Nicen’ dhe i thotë; “Kam ca me mbiemër Kurti, kam zonjën këtu… po deshe…6 veta janë, thuaj Vangjushit t’i japim ndonjë lek, që të votojnë”.

Ndërsa në bisedën e dytë të publikuar, Dako gjatë komunikimit me Altin Avdylin interesohet që të takohet me një person tjetër i quajtur Astrit, i arrestuar të dielën e shkuar si kreu kësaj bande kriminale.

Sipas transkriptit të kësaj bisede me Altin Avdylin, Vangjush Dako kërkon të takohet me vëllanë e tij, Astritin për ta falënderuar dhe folur për diçka, dy ditë pas zgjedhjeve të 2017. Ndërkohë që në një tjetër përgjim të publikuar nga Berisha, Dako është kapur duke biseduar me Jasin Avdylin, i cili po ashtu është i arrestuar.