Pesë vite pas vrasjes së 48 rusëve në Odesë

Sot, më 2 maj, tashmë u mbushën pesë vite nga një prej ngjarjeve më tragjike të konfliktit ukrainas. Siç dihet, në këtë ditë në vitin 2014 neonazistët, përfshirë këtu edhe simpatizantët e grupit radikal “Sektori i Djathtë”, i vunë zjarrin Shtëpisë së Sindikatave në Odesë të Ukrainës, ku ishin bllokuar dhjetëra njerëz të paarmatosur. Si rezultat i këtij aksioni barbar, 48 njerëz humbën jetën: shumica u dogjën të gjallë, ndërsa shumë të tjerë vdiqën pasi kërcyen nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve. I vetmi faj që kishin viktimat ishte që e shprehën hapur qëndrimin e tyre qytetar kundër grushtit të armatosur antikushtetues të ndodhur në Kiev në shkurt 2014, i cili i vuri në rrezik të drejtat e popullsisë rusishtfolëse dhe të rusëve etnikë në Ukrainë.

Deri tani, pesë vite pas tragjedisë, qeveria në Kiev ende nuk ka kryer asnjë hetim objektiv të këtij krimi. Sipas raportit të Grupit konsultativ ndërkombëtar të Këshillit të Evropës për Ukrainën, hetimi që gjoja u krye nga Kievi nuk është fare në përputhje me dispozitat e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Madje, rezultatet e ekspertizës kriminalistike rreth shkaqeve të vdekjes së viktimave nuk janë publikuar kurrë, kurse organet ligjzbatuese në Ukrainë ende nuk kanë identifikuar personat përgjegjës për këtë krim shumë të rëndë, i cili ka të gjitha karakteristikat e një krimi kundër njerëzimit.

Jemi të bindur se i gjithë komuniteti botëror, të gjitha vendet e qytetëruara duhet të kërkojnë nga pala ukrainase që të realizojë një hetim të gjithanshëm të ngjarjeve në Odesë. Tragjedia e ndodhur në Odesë duhet të hetohet më në fund siç duhet që fajtorët e vdekjes së dhjetëra njerëzve të dalin para gjyqit dhe të marrin dënimin e merituar.

Indiferencën ndaj krimeve, të cilat janë të ngjashme me mizoritë e nazistëve të kryera gjatë Luftës së Dytë Botërore, e shohim si absolutisht të papranueshme dhe në kontradiktë me deklaratat e vazhdueshme të vendeve perëndimore dhe aleatëve të tyre për domosdoshmërinë e normalizimit të situatës në Ukrainë.

I përjetshëm do të jetë kujtimi për njerëzit e pafajshëm të vrarë nga radikalët ukrainasë. /Embassy of Russia in Albania

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne