Pjesë nga fjalimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, më 17 shkurt 2018

Pjesë nga fjalimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë Sergej Lavrov gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, më 17 shkurt 2018

 

“Prej shumë vitesh pas rënies së murit të Berlinit dhe ribashkimit të Gjermanisë, në të cilin Rusia luajti një rol vendimtar, kemi synuar të bëjmë maksimumin për të ndërtuar në rajonin euroatlantik një arkitekturë të sigurisë së barabartë dhe të pandashme. Kemi bërë një reduktim të ndjeshëm të potencialit tonë ushtarak në kufijtë perendimorë [të Rusisë]. Kemi kërkuar vazhdimisht forcimin e institucioneve të përbashkëta evropiane, para së gjithash të OSBE-së, si edhe hartimin e regjimeve ligjore në fushën e sigurisë evropiane. Për fat të keq, thirrjet tona për dialog të barabartë dhe për realizimin praktik të parimit të sigurisë së pandashme askush nuk donte t’i dëgjonte. Në kundërshtim me sigurimet që na u shprehën në vitet ’90, fakt ky që është vërtetuar para pak kohe me publikimin e dokumenteve të Arkivit Kombëtar në SHBA, NATO-ja po zgjerohet drejt lindjes. Afër kufijve tanë po rriten njësitë luftarake dhe instalohet infrastruktura ushtarake e aleancës. Po eksplorohet gradualisht teatri evropian i luftimeve. Në Evropë po zbatohen planet për krijimin e një sistemi të mbrojtjes antiraketore të SHBA-ve, i cili e prish stabilitetin strategjik. Po zhvillohet një propagandë e qëllimshme, e cila e mëkon shoqërinë perëndimore me urrejtje ndaj Rusisë. Brenda establishment-it të shumë vendeve është kthyer gati në një rregull të re të korrektësisë politike që për vendin tonë ose të flasësh keq, ose të mos flasësh fare”.

“Do të doja t’ju rikujtoja që, kur vendi ynë ishte i dobësuar duke kaluar një periudhë provash historike, kemi dëgjuar nga të gjitha anët për interesin për të pasur “një Rusi të fortë”, dhe që veprimet e shteteve jashtërajonale në vendet fqinje të Rusisë (dhe jo vetëm) nuk janë orientuar kundër interesave tona. Premtime përkatëse janë dhënë edhe në lidhje me projektin e BE-së “Partneriteti Lindor”. Shpresojmë që do të zbatohen, ndërkohë që çdo përpjekje për të kthyer këtë projekt drejt një tendence rusofobe do të parandalohet nga Brukseli. Është tepër e rrezikshme ta shohësh situatën në Evropë nën prizmin e “lojës me shumën zero”.

Një nga rezultatet është përpara syve tanë: Ukraina e goditur nga një konflikt i brendshëm, e cila, meqë ra fjala, në një moment të caktuar, në kontekstin e përgatitjes së marrëveshjes së asociimit me BE-në, u vendos në formë ultimatumi përpara një zgjedhjeje të rreme – ose me Perëndimin, ose me Rusinë. Është e trishtueshme që Bashkimi Evropian, i cili doli në rolin e garantorit të marrëveshjes ndërmjet qeverisë ukrainase dhe opozitës të 21 shkurtit 2014, rezultoi i pafuqishëm në insistimin për zbatimin e saj dhe mbështeti faktikisht një grusht shteti antikushtetues. Sot për sot, ky vend me një potencial shumë të madh dhe me një popull të talentuar ka degraduar në një gjendje, në të cilën është i paaftë të vetëmenaxhohet. Rusia më shumë se çdokush tjetër është e interesuar për zgjidhjen e krizës së brendshme ukrainase. Kuadri ligjor është gati: “Kompleksi i Masave” të Minskut, i cili është hartuar nga Rusia, Gjermania, Ukraina dhe Franca me pjesëmarrje të Donjeckut dhe Luganskut dhe është miratuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Ai duhet zbatuar me përpikmëri. Megjithatë, momentalisht përpjekjet përkatëse në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe “Formatit të Normandisë” sabotohen në mënyrë flagrante nga Kievi, ku kanë filluar të shprehen zyrtarisht për një skenar ushtarak. Jam i sigurt që në BE e kuptojnë gjithë rrezikun e një kthese të tillë”.

“Për fat të keq, vazhdojnë ende përpjekje për t’u imponuar vendeve, që janë fqinjë të përbashkët të Rusisë dhe BE-së, qoftë në Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, qoftë në Ballkan, që të bëjnë një zgjedhje: ose drejt Perëndimit, ose drejt Lindjes. Gazeta gjermane “Die Welt” botoi këto ditë një artikull me titull: “BE-ja dhe Putini: kush e merr Ballkanin Perëndimor?”. Dhe ky rast i përpunimit të opinionit publik në frymën e filozofisë “mik-armik” është larg së qenit i vetëm”.

“Në këndvështrimin tim, gjatë dekadave të fundit BE-ja nuk ka arritur të gjejë “mesin e artë” në marrëdhëniet me vendin tonë. Në vitet ’90 të shekullit të kaluar mbizotëronte percëptimi i Rusisë si një “çirak”, i cili, pavarësisht kundërshtimeve të tij, duhej arsimuar sipas standardeve perëndimore. Ndërsa tani është përhapur një mit irracional i “kërcënimit të gjithëpushtetshëm rus”, gjurmët e të cilit përpiqen t’i gjejnë kudo: që nga Brexit-i deri tek referendumi i Katalonjës. Të dyja stereotipet janë thellësisht të gabuara dhe tregojnë vetëm mungesën e mendjes së shëndoshë dhe të të kuptuarit të vendit tonë. Kemi vënë re që në BE po rritet numri i atyre që ndihen të parehatshëm për shkak të një situate jonormale të krijuar në marrëdhëniet tona. Ekspertë të autoritetshëm pranojnë se për demonstrimin e aparencës së unitetit në raport me Rusinë Bashkimi Evropian është i detyruar të paguajë me një “paralizë diplomatike”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne