Naim Abdurrahmani
Në studimin mbi historinë e shqiptarëve të Noel Malcolm, 36 faqe i janë kushtuar Pjetër Bogdanit, ku veprimtaria e tij shfaqet kryekëput fetare. Sipas këtij libri, Bogdani ia kushtoi gjithë jetën shërbimit të Propagandës së Fesë Katolike dhe dëshironte që tokat shqiptare t’i sundonte një perandori katolike.
Bogdani kreu arsimin në Kolegjin Urban të Propaganda Fide-s në Romë, i themeluar për të përgatitur misionarë dhe klerikë nga viset jashtë Italisë. Kolegji “Congregatio de Propaganda Fide” u krijua nga Papa Gregori XV në vitin 1622, me qëllimin zyrtar për të përhapur fenë katolike, veçanërisht në territore ku nuk ekzistonte struktura kishtare ose ku ndikimi i saj po dobësohej.
Në faqen 258 të studimit, Malcolm shkruan se disa elementë të qasjes konvertuese mund të gjenden në tekstin e Cuneus prophetarum (Çeta e profetëve). Për shembull, Bogdani deklaron:
“Është më mirë të jesh i krishterë, bir i një turku, sesa të jesh turk, bir i një të krishteri.”(Si zakonisht në shkrimet e krishtera të kësaj periudhe, fjala “turk” nënkupton “mysliman”.)
[Gjatë historisë, fjala “turk” u përdor nga kishat katolike dhe ortodokse, nga intelektualët, shkrimtarët, poetët dhe akademikët krishterë shqiptarë, dhe më vonë nga nacional-komunizmi, si mjet për të sulmuar dhe stigmatizuar shqiptarët myslimanë. Sot, kjo metaforë është e tepërt, pasi sulmet ndaj myslimanëve shqiptarë bëhen hapur dhe pa e fshehur qëllimin.]
Shqetësimi kryesor i Bogdanit ishte mbrojtja e grigjës (xhematit) së tij katolike nga llojet e “gabimeve” që mund të nxisnin njerëzit të braktisnin kishën dhe të bashkoheshin me ortodoksët ose myslimanët.
“Turqit” (myslimanët shqiptarë) bisedonin me Bogdanin në mënyrë të hapur dhe demokratike.
Në faqen 262, Malcolm citon një letër të Bogdanit në fund të vitit 1675, ku ai i kërkoi Kongregatës së Shenjtë të siguronte një Bibël në arabisht, duke shpjeguar se kjo do të ishte e dobishme edhe në diskutimet paqësore me myslimanët.
Kjo tregon se shqiptarët që kishin pranuar fenë islame për pikë qejfi, e jo me dhunë, ishin të lirë të diskutonin në mënyrë paqësore edhe me një klerik katolik rreth çështjeve fetare.
Në faqen 263, Malcolm thekson se Bogdani nuk e kishte lexuar kurrë Kuranin, dhe njohuria e tij mbi islamin rrjedhte nga burime të shkruara nga teologë të krishterë dhe informacione gojore nga informatorët lokalë. Gabimi më i madh i tij ishte pohimi se “turqit” adhurojnë Muhamedin, një keqkuptim i zakonshëm mes shkrimtarëve të krishterë të kohës.
Në faqen 268, shënohet se Bogdani nuk ishte aktiv në konvertimin e hebrenjve, por kuptonte se disa argumente për të bindur hebrenjtë mund të përdoren edhe për myslimanët. Në vitin 1683, Propaganda Fide i dërgoi Bogdanit një kopje të librave për konvertimin e hebrenjve, që tregonte lidhjen e tij me institucionin.
Në faqen 270, Malcolm konstaton se qëllimi kryesor i Bogdanit ishte të mesonte dhe të mbronte grigjën e tij, duke u shfaqur i varur nga Propaganda Fide, nga e cila mori mbështetje dhe pagesë gjatë gjithë karrierës. Rëndësia e shkrimeve të tij nuk ishte promovimi i shqiptarisë, por përhapja e katolicizmit dhe edukimi fetar i komunitetit katolik.
Pyetja që lind për akademikët shqiptarë është: pse shkrimet e Pjetër Bogdanit në shqip, me alfabet latin, mbeten të shenjta për ju, ndërsa shkrimet në alfabetin arab të Ibrahim Nesim Bej Frakullës (1685–1760), poet shqiptar dhe më i madhi i shekullit të tij në letërsinë shqipe, nuk gëzojnë të njëjtin status?
Libri i Bogdanit, Çeta e Profetëve, për një lexues të kohës, nëse lexohet me vëmendje, del të jetë një vepër fanatike, raciste dhe fashiste. Ndërkaq, shkrimet e Nezim Bej Frakullës përmbajnë poezi me tematika të ndryshme: fetare, morale, natyrore dhe dashurie.
Treqind vjet kanë kaluar, por gjithçka mbetet e njëjtë; aktorët e së shkuarës vazhdojnë të luajnë të njëjtën lojë, dhe turku (myslimani) mbetet fajtor për gjithçka, ndërsa e vërteta historike shtypet me qëllim nga narrativat e njëanshme.
Megjithatë, duket se plani i tyre nuk po realizohet: turku ka ikur prej më shumë se njëqind vjetësh, ndërsa shqiptari mysliman ka mbijetuar të gjitha stuhitë. Ai ka rezistuar përballë sulmeve të vazhdueshme që nisën me Propagandën e Fide-s dhe Pjetër Bogdanin, vazhduan me gjenocidin e pas 1912-tës nga kombet fqinjë, dhe u përshkallëzuan nga gjenocidi mendor i nacional-komunizmit shqiptar, i cili synoi shkatërrimin e shpirtit dhe të ndërgjegjes kolektive. Edhe sot, kjo luftë për mendësinë dhe identitetin vazhdon të shfaqet nën maskën e propagandës evropianiste.
N.A/fb

















