Bota

“Plani i Marrëveshjes së Shekullit do të largohet nga Shtëpia e Bardhë bashkë me Trumpin”

Kryeministri palestinez, Mohammed Shtayyeh, theksoi se i ashtuquajturi plani i paqes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), e njohur si “Marrëveshja e Shekullit”, do të largohet nga Shtëpia e Bardhë bashkë me presidentin amerikan Donald Trump.

Në një deklaratë nga zyra e Kryeministrisë së Palestinës bëhet e ditur se Shtayyeh zhvilloi një mbledhje nëpërmjet telekonferencës me Këshillin e Marrëdhënieve me Jashtë të SHBA-së.

“Plani i Marrëveshjes së Shekullit i paraqitur nga Trump dhe i cili nuk plotëson as të drejtat minimale të palestinezëve do të largohet nga Shtëpia e Bardhë bashkë me atë vetë”, theksoi Shtayyeh duke vënë në dukje se nga qeveria amerikane nën udhëheqjen e Joe Biden presin që të mbështesë zgjidhjen me dy shtete.

Më tej Shtayyeh shtoi se Izraeli duhet të zhvillojë një konferencë paqeje nën vëzhgimin ndërkombëtar, të pranojë rifillimin e negociatave aty ku kanë mbetur ose t‘i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara më parë.

Ajo që do t’i japë fund konflikteve me Izraelin nuk janë “marrëveshjet e normalizimit”, por paqja me palestinezët, deklaroi Shtayyeh, i cili theksoi se marrëveshjet e normalizimit që disa vende arabe kanë nënshkruar me qeverinë e Tel Avivit janë shkelje e Nismës Arabe të Paqes.

Presidenti amerikan Donald Trump në një konferencë të përbashkët për shtyp që zhvilloi me 28 janar në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi në mënyrë të njëanshme për opinionin publik planin e paqes për Lindjen e Mesme (Marrëveshjen e Shekullit).

Izraeli me një ceremoni të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë me 15 shtator nënshkroi marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinin.

Ndërsa në një deklaratë me 23 tetor presidenti amerikan Donald Trump bëri të ditur se edhe Sudani ka arritur marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinës u ndalën në prill 2014 dhe nuk mundën të rifillonin pavarësisht të gjitha përpjekjeve për shkak se “Izraeli nuk pranoi kufijtë e vitit 1967, të drejtën e rikthimit të palestinezëve që kanë migruar të detyruar dhe për shkak se nuk pranoi t‘i japë fund ndërtimit të vendbanimeve hebreje të paligjshme”./AA

OPINIONE

INTERVISTA