Platforma e PD, Basha në Korçë: Rama i mbron me thonj banditët

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte sot i pranishëm në qytetin e Korçës në një takim me qytetarët.

Në fjalën e tij ai përmendi problematikat kryesore në vend si dhe prezantoi platformën që sipas tij do ndryshojë të ardhmen e Shqipërisë.

Për situatën në të cilën gjendet vendi, Basha bëri fajtor kryeministrin Edi Rama, duke u shprehur se ky i fundit i katapultoi banditët nga burgjet në poste deputeti e kryetarësh bashkie.

“Skemat më të ndyra të korrupsionit në 30 vitet e fundit. Faktet flasin vetë, lidhjet e Ramës me banditët nuk janë shfaqur vetëm nga denoncimet e PD, por dhe te përgjimet e Prokurorisë. Anembanë vendit kulmojnë lidhjet me krimin, pa Ramën kjo skemë s’do ishte vënë në funksion. Për çdo projekt që ka investuar qeveria, gjysma e parave janë futur në xhepat e pushtetarëve. Këto janë paratë e qytetarëve.

Projektet janë realizuar me 2-3 herë vlerën e tyre, dhe kontraktorët janë përdorur vetëm për të futur lekët në xhepat e tyre. Është fakt që në 5 vite s’ka pasur asnjë investim që të përmirësojë  jetën e qytetarit. Nuk ka asnjë investitor të huaj të rëndësishëm në këtë vend. Është fakt që në gjithë Shqipërinë, numri i bizneseve që mbyllin qepenat ka arritur shifra maksimale. 45 biznese në ditë. Është fakt që përtej premtimeve fasadë, faturat janë rritur. Si ajo e naftës që është rritja më kriminale. Është fakt që 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturat e dritave dhe ujit. Është fakt se 70% e 500 mijë qytetarëve që kanë lënë vendin përbëhen nga lulja e rinisë, shpresa e kombit. Sot jemi këtu për të prezantuar themelet e programit tonë për zgjidhjen e problemit,” tha Basha.

Kryedemokrati gjithashtu paraqiti programin e PD për ndarjen e politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve dhe çlirimi i ekonomisë nga oligarkët.

“Kemi paraqitur 3 platforma që kanë lidhje me situatën e vendit, ndarjen e politikës nga krimi, dekriminalizimi i zgjedhjeve, dhe lufta kundër oligarkëve për të çliruar ekonominë. E nisëm nga Korça për ta paraqitur këtë platformë.

Këto platforma janë baza e veprimit, dhe sapo të vihen në jetë do të ndryshojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Vendi do t’i kthehet qytetarëve. Shumica e shqiptarëve e ka mbështetur këtë programe. Kemi denoncuar që në fillim futjen e personave me rekorde kriminale në parlament. U katapultuan si deputetë e kryebashkiakë direkt nga burgjet. Edi Rama i mbrojti me thonj deri në fund. Bëri gjithçka për të zvarritur ligjin e dekriminalizimit,” tha Basha.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne