Politikanët nisin tentativat për të fshehur pasuritë korruptive, 4 pushtetarë të lartë nën hetim për pastrim parash, zbardhet dokumenti

Pushtetarët shqiptarë kanë nisur tentativat për të fshehur paratë e korrupsionit tani që po afron ngritja e SPAK. Gazeta ka publikuar me dhjetra raporte që tregojnë se si është rritur pastrimi i parave brenda dhe jashtë vendit, por kohët e fundit është rritur dhe numri i politikanëve të përfshirë në këtë vepër kriminale. Gjatë vitit 2018 janë referuar në organet ligjzbatuese plot 4 politikanë të dyshuar të përfshirë në pastrim parash. Gazeta ju drejtua pak ditë më parë Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, për të mësuar se sa është numri i personave të dyshuar të përfshirë në pastrim parash për vitin 2018 dhe a ka mes tyre politikanë, kryesisht, ministra, deputetë, ish-ministra, etj. Në përgjigjen e kthyer, DPPP ka bërë me dije se në total gjatë këtij vitit ka pasur referime në organet drejtësisë për 250 persona, mes të cilëve 4 janë politikanë. “Për vitin 2018 janë referuar rreth 250 raste të dyshimta, nga të cilat rreth 85 % janë dërguar në Polici dhe 15 % në Prokurori (duke vënë në dijeni Policinë edhe për këto të dytat)”, thuhet në shkresën e DPPP. Ndërsa sa i takon përfshirje së politikanëve, për 1 prej tyre ka pasur referim në prokurori dhe për 3 të tjerë në polici, me qëllim që të vijojnë më tej hetimet, pasi Drejtoria e Pastrimit të Parave vetëm mund të referojë dhe jo të bëjë kallëzime penale. “Në lidhje me persona të klasifikuar PEP (Persona të Ekspozuar Politikisht) apo persona të cilët kanë qenë PEP apo kanë mbajtur/mbajnë detyra shtetërore, për vitin 2018 kemi referuar një rast në Prokurori dhe tre raste në Polici, me dyshimet për investime, qarkullim të fondeve të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe dyshuar prej veprave të shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit aktiv/pasiv. Theksojmë se DPPPP referon vetëm dyshimet të bazuara në analizën financiare të kryer në lidhje me personat e dyshuar apo të tjerë persona/subjekte të lidhur dhe informacioni jonë i nënshtrohet trajtimit dhe investigimit nga strukturat që ju referohet, të cilat konkludojnë rast pas rasti nëse dyshimet materializohen me prova”, thuhet në përgjigjen e DPPPP për gazetën “SOT”. Gazeta kërkoi informacion dhe sa i takon hetimeve ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla, por Drejtoria e Pastrimit të Parave ka bërë me dije se bëhet fjalë për informacione sekret dhe nuk mund të publikohen.

Vetingu në drejtësi

Drejtoria e Pastrimit të Parave është e angazhuar dhe sa i takon vetingut në drejtësi. Në përgjigjen për gazetën është bërë me dije se po bashkëpunohet fort me ILDKP dhe KPK.

“Në bazë të ligjit nr 84/ 2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” DPPPP, pas kërkesës së ILDKPKI, gjatë vitit 2017 ka kryer verifikimet në të dhënat që ka në dispozicion në institucion, për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që i nënshtrohen procesit, përfshirë familjarët e tyre. Rezultatet e kërkimit janë dërguar në ILDKPKI. Për raste të veçanta vijohet ende bashkëpunimi me ILDKPKI. Aktualisht DPPPP është në një fazë bashkëpunimi me KPK dhe ju përgjigjemi kërkesave të tyre rast pas rasti”, thuhet në dokument. Sa i takon të dhënave të një viti më parë, DPPP ka bërë me dije se gjatë vitit 2017 janë sekuestruar 9 mln euro dhe janë nxjerrë 52 urdhra bllokimi kryesisht llogari bankare. Burimi kryesor i referimeve mbeten raportet e aktivitetit të dyshimtë ku 85% e referimeve e kanë indicien nga këto raporte.

Kliti Topalli

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne