Bota

Presidenti algjerian: Krimet koloniale kanë zbuluar fytyrën e vërtetë të Francës

Presidenti i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboune, tha se Franca ka treguar fytyrën e saj të vërtetë me krimet kundër njerëzimit që ka kryer në periudhën koloniale.

Sipas lajmit të agjencisë algjeriane të lajmeve APS, presidenti Tebbaoun publikoi një mesazh drejtuar popullit me rastin e ditës kombëtare të muxhahidëve.

Në mesazhin e tij Tebboune theksoi se “Franca ka kryer krime të pamëshirshme kundër njerëzimit ndaj popullit të Algjerisë. Këto krime në periudhën koloniale zbuluan fytyrën e vërtetë të Francës në ‘sloganin e qytetërimit’”.

Duke vënë në dukje se vendi i tij mori nga Parisi në muajin korrik mbetjet mortore të 24 liderëve të rezistencës popullore kundër kolonializimit francez, Tebboune premtoi se do të vazhdojnë deri në fund këtë proces për të sjellë në atdhe mbetjet mortore të të gjithë dëshmorëve.

Në Muzeun e Njerëzimit në kryeqytetin Paris ndodhen 18 mijë kafka të cilat janë sjellë nga shumë vende të ndryshme të botës.

Nga 500 kafka që janë identifikuar 36 prej tyre u përcaktuan se i përkasin muxhahidëve (luftëtarëve) algjerianë të vrarë në mesin shekullit të 19-të në periudhën kur Franca filloi të marrë si koloni Algjerinë.

Organizatat e të drejtave të njeriut dhe historianët, theksojnë se Franca në periudhën koloniale gjatë viteve 1830-1962 ka kryer masakra kundër algjerianëve dhe se qindra mijëra të tjerë janë dëbuar.

Unioni për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut të Algjerisë, ka theksuar se në periudhën koloniale të Francës janë vrarë 10 milionë njerëz./AA

OPINIONE

INTERVISTA