Bota

Presidenti Erdogan bisedoi me homologun rus për sulmin me dronë kundër bazave ushtarake ruse në Siri pak ditë më parë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, realizoi mbrëmjen e së enjtes një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin, në fokus të së cilës ishin marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimi në fushën e energjisë bërthamore dhe padyshim Siria.

Në këtë bisedë telefonike, realizuar me kërkesë të Putinit, u vu theksi mbi rëndësinë e ndaljes sa më parë të sulmeve ndaj civilëve sirianë në Idlib dhe Gutën Lindore, pasi vetëm kështu mund të rezultojnë të suksesshme negociatat në Astanë dhe Kongresi i Dialogut Kombëtar në Soçi.

Dy liderët biseduan gjithashtu rreth projektit të Centralit Bërthamor “Akkuyu” dhe Rrymës Turke, si dhe për bashkëpunime të tjera në fushën e energjisë duke konfirmuar në këtë mënyrë vendosmërinë e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve në çdo fushë.

Ata shkëmbyen mendime edhe në lidhje me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes Turqisë dhe Rusisë.

Erdogani i kërkoi Putinit që të kontribuojë personalisht për ndaljen e sulmeve të regjimit sirian në zonën e Idlibit dhe asaj të Gutës Lindore.

Kurse Putini i tha homologut të tij turk se e dinte kush “provokator” fshihej pas sulmit me dronë kundër bazave ushtarake ruse në Siri pak ditë më parë.

Shefi i Kremlinit deklaroi se as ushtarët turq dhe as qeveria turke nuk kishin të bënin me sulmin me dronë mbi objektivat ushtarake ruse në Siri.

“Tentativa për të sulmuar bazën Khmeimim me mjete ajrore pa pilot është planifikuar me rigorozitet për të prishur marrëdhëniet tona me partnerët, përfshi këtu edhe Turqinë”, nënvizoi Putin.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha të mërkurën se dronët, që sulmuan bazat ajrore dhe detare të Rusisë në Siri javën e kaluar, ishin nisur nga pozicionet e kontrolluara nga “opozita e moderuar”.

“Dokumentet tregojnë nevojën që Ankaraja të përmbushë detyrimet e saj për të siguruar përputhjen me ndërprerjen e armiqësive nga forcat e armatosura nën kontrollin e saj dhe për të intensifikuar punën për ngritjen e pikave të vrojtimit në zonën çtensionimit në Idlib me qëllim parandalimin e këtyre sulmeve nga mjetet ajrore të armatosura”, shkruhej në komunikatën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Rreth 13 dronë të armatosur u përfshinë në një sulm ndaj bazave ruse në Sirinë Perëndimore, asaj ajrore në Khmeimim dhe bazës detare në Tartus. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk raportoi viktima apo dëmtime pas sulmit në fjalë./ trt