Presidenti Erdogan: Këshilli i Sigurimit të OKB-së duhet të ristrukturohet

“Ne kemi parë sa joefektive janë mekanizmat ekzistuese globale gjatë kësaj krize (të pandemisë COVID-19). Kjo është aq e vërtetë saqë u deshën javë, madje muaj, që Këshilli i Sigurimit, organi më themelor vendimmarrës i OKB-së, të përfshinte pandeminë në agjendën e saj. Kështu, ne edhe një herë kemi parë drejtësinë e tezës ‘bota është më e madhe se pesë’, të cilën unë e kam mbështetur për vite me radhë nga kjo foltore”, deklaroi Presidenti Erdogan përmes videolidhjes në sesionin 75. të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Duke theksuar rëndësinë e rishqyrtimit të mentalitetit, institucioneve dhe rregullave për të parandaluar humbjen e reputacionit të organizatave ndërkombëtare, Erdogani tha se fati i njerëzimit nuk mund të lihet në mëshirën e një numri të kufizuar vendesh.

“Ne duhet t’i sigurojmë Këshillit të Sigurimit një strukturë dhe funksionim efektiv, demokratik, transparent dhe të përgjegjshëm. Po ashtu ne duhet të përforcojmë Asamblenë e Përgjithshme, e cila pasqyron ndërgjegjen e përbashkët të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.

Duke iu referuar nevojave të bashkëpunimit global për problemet globale, të tilla si pandemia COVID-19, kreu i shtetit turk tha se bota duhet të përpiqet të përdorë mekanizmat për bashkëpunim shumëpalësh në mënyrën më efektive.

“Kemi qenë në ballë të përpjekjeve për të luftuar pandeminë në takimin e G20-s, Këshillit Turk, MIKTA-së, Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe në platforma të tjera”, theksoi ai duke shtuar se Turqia e ka shtrirë dorën e ndihmës në 146 vende gjatë pandemisë globale.

Ai theksoi edhe se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për ta shndërruar Stambollin në një qendër rajonale të OKB-së.

Çështjet rajonale dhe globale

Lideri turk foli gjithashtu për çështje të tjera rajonale e globale. Duke iu referuar çështjes libiane, Erdogani tha se Turqia ka qenë vendi i vetëm me përgjigje konkrete dhe thirrje mbështetëse në ndihmë të qeverisë legjitime të Libisë.

Për sa i përket Jemenit, ai theksoi se “historia nuk do t’i falë ata që lakmojnë sovranitetin dhe integritetin politik e territorial të Jemenit ose që anashkalojnë vuajtjet e vazhdueshme të vendit”.

Ndërkaq, për zgjidhjen e çështjeve në programin bërthamor të Iranit, Presidenti Erdogan theksoi se vendi i tij është pro zgjidhjes përmes diplomacisë dhe dialogut në bazë të ligjit ndërkombëtar.

Në Siri, sipas presidentit turk, “nuk do të ketë zgjidhje të përhershme pa miratuar të njëjtin qëndrim parimor dhe vendimtar ndaj të gjitha grupeve terroriste”.

Më tej, lidhur me çështjet e Mesdheut Lindor, Erdogani përsëriti thirrjen e Turqisë për vendosjen e dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve bregdetare të këtij rajoni. Ai propozoi një konferencë rajonale, përfshirë Qipron Turke, ku do të konsiderohen të drejtat dhe interesat e të gjitha vendeve.

Duke folur për çështjen palestineze, Erdogani bëri thirrje për formimin e një shteti të pavarur dhe sovran të Palestinës të bazuar në kufijtë e vitit 1967 dhe me kryeqytet Jerusalemin Lindor. / AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne