Presidenti i Iranit akuzon izraelin për vrasjen e shkencëtarit

Presidenti i Iranit sot u bashkua me zyrtarë të tjerë të lartë në akuzimin e Izraelit për vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor të vendit, një incident që hedh benzinë mbi tensionet në rajon.

Duke folur një ditë pasi Mohsen Fakhrizadeh u vra nga sulmues të paidentifikuar në periferi të kryeqytetit Teheran, Hassan Rouhani tha se vrasja nuk do të ndikojë në përparimin shkencor të Iranit.

“Edhe një herë, duart e liga të arrogancës globale u njollosën me gjakun e regjimit uzurpator mercenar sionist”, tha ai, duke iu referuar Izraelit.

Ai më tej tha se “incidenti i tmerrshëm terrorist” ndodhi nga “paaftësia” e “armiqve të Iranit” për të ndaluar përparimin dhe zhvillimin e tij shkencor.

Thirrjet për hakmarrje janë rritur në Iran pasi shumë zyrtarë të lartë ushtarakë dhe politikë drejtuan gishtat drejt Izraelit dhe u zotuan për “hakmarrje të rreptë”.

Kjo është vrasja e dytë e profilit të lartë këtë vit që nga janari, kur përmes një sulmi ajror amerikan u vra gjenerali Qasem Soleimani. Zyrtarët në Iran e shohin koordinimin mes Izraelit dhe SHBA-së.

Fakhrizadeh, i cili drejtoi Departamentin e Kërkimit dhe Inovacionit në Ministrinë e Mbrojtjes së Iranit, u sulmua të premten në qarkun Damavand pranë Teheranit. Sulmuesit thuhet se shpërthyen një automjet para tij dhe më pas qëlluan në drejtim të automjetit të tij, duke e plagosur atë dhe të tjerët me të.

Të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital aty pranë, ku Fakhrizadeh përfundimisht iu nënshtrua plagëve të tij.

Incidenti ka tërhequr zemërim në gjithë Iranin. Të premten në mbrëmje, një numër i madh njerëzish u mblodhën para zyrës së Rouhanit në Teheran dhe kërkuan hakmarrje të ashpër.

Protestuesit brohorisnin parrulla si “asnjë kompromis, asnjë dorëzim, vetëm luftë”, duke bërë presion të shtuar mbi qeverinë e cila kishte filluar të zbusë qëndrimet pasi ajo shprehu simpati për administratën e re të SHBA-së.

Shumë zyrtarë të lartë të premten dënuan vrasjen dhe folën për “hakmarrje të ashpër”.

Gjenerali Mohammad Baqeri, shefi i shtabit të ushtrisë iraniane, akuzoi “terroristët” e lidhur me Izraelin për vrasjen e Fakhrizadeh, duke e quajtur atë një “goditje të rëndë” për mbrojtjen e vendit.

Baqeri, i cili kishte një shoqëri të gjatë me Fakhrizadeh, tha se vrësësit i pret një “hakmarrje e ashpër”.

I mbijetoi tentiativat e mëparshme për atentat

Gjeneral-Brigade Hossein Dehghan, këshilltari kryesor ushtarak i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei dhe një pretendent i fortë për zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, tha se Izraeli po bën “çdo përpjekje për të ndezur një luftë të gjithanshme” me Iranin, duke shtuar se ata “do të pendohen për veprën e tyre”.

Ministri i Inteligjencës Mahmoud Alavi, në një deklaratë të ashpër, gjithashtu tha se vendi i tij “do të hakmerret ndaj autorëve” të veprës.

Fakhrizadeh kishte qenë prej kohësh në radarët e agjencisë së spiunimit të Izraelit Mossad, sipas burimeve të informacionit. Ai i kishte mbijetuar disa tentativave për vrasje në të kaluarën.

Në vitin 2018, ai u përmend nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjatë një prezantimi mbi programin bërthamor të Iranit, duke e veçuar atë si një pionier të programit.

Sulmi ndaj Fakhrizadeh është i fundit në një seri sulmesh ndaj shkencëtarëve të lartë iranianë bërthamorë në vitet e fundit, për çka Irani gjithmonë fajtore konsideron Izraelin.

Një gazetë konservatore iraniane të shtunën doli me kryetitullin: “Nëse nuk godasim, ata do të vazhdojnë të na godasin”.

Situata në vend është e tensionuar dhe duket se ka mosmarrëveshje për çështjen e hakmarrjes midis Rouhanit dhe zyrtarëve të lartë ushtarakë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne