Presidenti Meta dënon vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka dënuar vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, gjatë një takimi me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve.

Meta në një pritje me gazetarët, zëdhënës e atashe shtypi të ambasadave të huaja, tha se problemet e gazetarëve janë në të gjithë botën, prandaj sipas tij është caktuar edhe kjo ditë.

Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Meta theksoi se “Me këtë rast dua të dënoj me forcë vrasjen tronditëse të gazetarit, Jamal Khashoggi, në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Duke iu bashkuar thirrjes tuaj si përfaqësues të medias, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar, edhe unë nënvizoj rëndësinë e bëj thirrje që ky rast të kthehet në një shembull për një hetim gjithëpërfshirës, që do të vërë para përgjegjësisë të gjithë urdhëruesit dhe autorët e tij”.

Meta u shpreh më tej se shpreson që vitin tjetër të mos ketë raste të tilla dhe liria e medias e të drejtat e gazetarëve të shënojnë përparim. Presidenti i Shqipërisë theksoi se liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike.

– Vrasja e gazetarit Khashoggi

Jamal Kashoggi, gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post” dhe bashkëpunëtor i gazetës “Al Watan” që paraqet platformën kryesore të reformistëve sauditë, u zhduk më 2 tetor pasi kishte hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll. Pas më shumë se dy javëve mohime mbi fatin e Kashoggit, autoritetet e Arabisë Saudite më 20 tetor mbetën të detyruar të pohojnë se Kashoggi është vrarë gjatë një sherri në konsullatë.

Por pretendimi i palës saudite se kjo nuk ka qenë një vrasje e planifikuar nuk u pranua në opinionin ndërkombëtar, duke shkaktuar reagime nga shumë vende.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne