Prifti greko-protestant Akil Pano qe perputhet me pornon televizive

Nga Elona Caslli

“Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe do të dojë tjetrin ose do t’i ngjitet njërit dhe do të përçmojë tjetrin.”

Mateu 6- Dhjata e Re

Akil Pano, e nisa këtë artikull me citimin e urtisë së shenjtë duke u bazuar në praninë tuaj dje tek emisioni “Përputhen” në Top Channel. Nuk do të isha shprehur për këtë emision, pasi e kam trajtuar fenomenin e këtij emisioni dhe dëmin që ky i fundit sjell, kur kam shkruar për “Love Story” që shfaqet në televizionin “Klan”.

Qoftë “Love Story”, qoftë “ Përputhen” janë e njëjta gjë; janë “Porno me dashurinë”.

Teksa u përputhët mbrëmë Pastor, iu ngjitët vesit dhe përçmuat virtytin.

Mbrëmë teksa përputheshit jeni shprehur: Vajzat dhe djemtë janë shumë të mirë, vajzat i shoh të veshura si princesha, por në sjellje jo gjithnjë kam parë sjelljen e një princeshe. Të rinjtë tani duan gjërat në moment, e kanë të vështirë të presin, nuk kanë durim. Ka ndikim edhe fama në rrjetet sociale. Po ashtu i them dhe djemve. Fisnikëria e bën mashkullin më të mirë, fakti që jeni kthyer në modelë, ju bën përgjegjës,”.

Me pak fjalë, djemtë dhe vajzat që marrin pjesë në emision, i keni trajtuar si modele për t’u ndjekur nga të rinjtë shqiptarë dhe madje u keni nënvizuar përgjegjësinë që kanë në cilësinë e modeleve mediatike.

Le të ndalemi tek elementi i modelit Pastor duke diskutuar për një situate krejt të thjeshtë në atë emision.

Një vajzë që deklarohet publikisht si nusja e një djali të hënën dhe puthet publikisht me një djalë tjetër të shtunën, duke zhbërë atë që kish pohuar një javë më pare, është sipas jush modeli i duhur për t’u ndjekur?!

Nuk dua të merrem me vajzat apo me djemtë që marrin pjesë në atë emision. Ata janë thjesht viktimat të një eksperimenti të neveritshëm social dhe mediatik, por do ta kuptojnë këtë gjë në fund të emisionit, kur të shuhen dritat dhe të kthehen në të përditshmen e tyre.

Në kontekstin e Biblës Pastor, do të ishte e udhës të flisnim pak edhe për çështjen e administrimit të lirisë.

Silluni si njerëz të lire, por jo ta përdorni lirinë si petk për të mbuluar Ligësinë.

Letra e apostullit Pjeter- Dhjata e Re

Pastor, përputhja juaj mbrëmë, ka shërbyer si petk për të mbuluar ligësinë e atij programi. Ndonëse ju u përputhët Pastor, petku juaj ishte shumë i shkurtër në raport me ligësinë kilometrike të atij programi.

Ndonëse ju i keni quajtura vajzat princesha Pastor, ato vazhdojnë të mbeten viktima të producentëve të atij programi. Janë viktima pasi u diktohet një situate artificiale, në të cilën asgjë nuk është e natyrshme.

U diktohet fjala, u diktohet veprimi, u diktohet veshja, u diktohet puthja, u diktohet tradhtia.

Shkurt, trajtohen si kavje televizive dhe e gjitha kjo ndodh në sytë tuaj Pastor. Dhe ju nuk thoni asgjë, madje kavjen televizive e pagëzoni me emrin e “ princeshës”.

Ju jeni i martuar Pastor. Keni  një djalë dhe një vajzë në moshë të rritur. Pyetja ime është: A do t’i dërgonit fëmijët tuaj tek “ Përputhen”?!

A do ta quanit vajzën tuaj “ Princeshë” teksa shfaqet gjysmë e zhveshur në studio dhe dimensionin e saj personal si vajzë, ia ofron ekranit të madh televiziv me shpresën se dikur do të bëhet e famshme dhe do të marrë identitetin e munguar përmes famës?!

Të dy e dimë krejt mirë që përgjigjja është “ jo”.  Nuk ka fëmijë të kategorisë A, B, ose C, Pastor. Atë që nuk ia bëni fëmijës suaj, mos ia bëni fëmijës së dikujt tjetër.

Ata djem dhe vajza janë dështimi ynë. Ka dështuar edukimi, ka dështuar shoqëria, ka dështuar gazetaria, ka dështuar televizioni dhe së fundmi ka dështuar edhe figura e Pastorit që përputhet me këtë bashkësi dështimesh.

Në këtë vend kemi parë të bëhet “porno me varfërinë”, ku të varfrit trajtohen si dordolecë pa kurrfarë dinjiteti dhe urdhërohen si duhet të qëndrojnë dhe çfarë duhet të thonë para një aparati fotografik për një copë bukë.

Kemi parë të bëhet “porno me dashurinë” tek emisionet “ Përputhen” dhe “Love story” , ku të rinjtë duhet të puthen, të zihen dhe të tradhtohen sipas një skenari të caktuar.

Dhe së fundmi shohim “Pornon me fenë, ose me besimin fetar”. Këtë shfaqje na e ofruat ju mbrëmë Pastor teksa u përputhët.

Post Scriptum-  Ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi dhe menjëherë thoni: Po vjen shiu,- dhe ashtu ndodh.  Hipokritë! Ju dini të dalloni fytyrën e qiellit dhe të tokës , por vetëm fytyrën e kohës në të cilën jetoni, nuk e dalloni.

Lluka 12- Dhjata e Re

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne