Princi i Monakos vizitë zyrtare në Shqipëri

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur me një ceremoni zyrtare princin e Monakos, Albert II, i cili po zhvillon një vizitë shtetërore në Shqipëri.

Pas ceremonisë së pritjes, presidenti Meta dhe princi Albert i II zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas kryesuan takimin midis dy delegacioneve zyrtare.

Presidenti Meta tha gjatë takimit se në këto shtatë vite marrëdhëniesh diplomatike, bashkëpunimi midis Republikës së Shqipërisë dhe Principatës së Monakos është zhvilluar në mënyrë shumë pozitive, thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.

“Vizita e Princit Albert i II është shprehje e qartë e dëshirës dhe vullnetit të përbashkët për t’i nxitur e zhvilluar më tej këto marrëdhënie, nënvizoi Meta. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret, në fushat ku eksperienca dhe ekspertiza e Monakos është shumë e njohur ndërkombëtarisht, si në turizëm e në mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e ekonomisë së gjelbër, inovacion e teknologjinë, në shërbimet financiare, trajnimin profesional e në fusha të tjera”, theksohet në njoftim.

Duke iu referuar përkatësisë mesdhetare të të dy vendeve, Meta dhe princi Albert II i Monakos nënvizuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes së ambientit dhe të biodiversitetit.

Në fund të bisedimeve zyrtare, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit i Monakos, Gilles Tonelli, ku palët bien dakord të identifikojnë fushat e veçanta të bashkëpunimit dhe t’i promovojnë më tej ato.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne