Probleme me pasurinë, shkarkohet nga detyra gjyqtarja e Saimir Tahirit

Gjyqtarja Nure Dreni e Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krímit të Organizuar është shkarkuar nga detyra. Dreni është një prej gjyqtareve që është pjesë e trupës që do të japë vendimin për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, dhe Jaeld Çelën.

Seanca maratonë për Drenin u drejtua nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Suela Zhegu, ndërsa nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ishte e pranishme Mia Roessingh Bakels.

E shortuar gati dy vjet më parë, gjyqtarja Nure Dreni ishte njohur fillimisht me mbylljen e hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë. Por pas dokumenteve dhe shpjegimeve të dorëzuara prej saj, trupa gjykuese kishte vendosur riçeljen e hetimit edhe për dy kriteret e tjera.

Relatorja Xhensila Pine deklaroi në seancën dëgjimore se Komisioni kishte evidentuar pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e pasurisë nga gjyqtarja Dreni; e cila përbëhet nga një automjet i markës Citroen, një apartament prej 155 m2 në pronësinë e bashkëshortit, një investim prej 5.8 milionë lekësh në bono thesari si dhe një apartament prej 60 m2 në Golem.

Pine evidentoi gjithashtu se nuk ishte provuar fitimi i kompanisë “Dreni” sh.p.k me ortak bashkëshortin e gjyqtares- të ardhura që janë përdorur më pas si burim për blerjen e apartamentit, ndërsa shtoi se kjo pronë ishte blerë nën çmimin e referencës.

Investimi në bono thesari u diskutua gjatë në seancën dëgjimore, pasi gjyqtarja Dreni kishte shpjeguar në korrespodencën me KPK-në se bashkëshorti i saj zotëronte vetëm 2.8 milionë të vlerës së investuar, ndërsa 3 milionët e tjerë i përkisnin kunatës së tij në Kukës.

Komisioni evidentoi gjithashtu pamundësi financiare për të mbuluar shpenzimet përgjatë viteve 2011-2014, kohë e cila përkon me shkollimin e dy vajzave të gjyqtares Dreni në Mbretërinë e Bashkuar. Për çdo konstatim mbi pasuritë, Pine e shoqëroi relatimin me frazën “subjekti ka paraqitur prova dhe shpjegime të hollësishme, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit”.

Në seancë u shpjegua gjithashtu se si rrjedhojë e provave të dorëzuara, Komisioni kishte vendosur riçeljen e hetimit pasuror lidhur me kontratën mes bashkëshortit të subjektit dhe kunatës së tij për investimin prej 5.8 milionë lekësh në bono thesari si dhe për kriterin e figurës dhe atë të aftësive profesionale.

Për kriterin e figurës, gjyqtarja Dreni u vlerësua pozitivisht nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe më pas nga Komisioni. Ndërsa në vlerësimin e aftësive profesionale, gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Apelit i kaloi barra e provës për dy vendime gjyqësore dhe iu kërkuan shpjegime mbi disa denoncime të mbërritura në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Sipas relatores Pine, për një çështje të shqyrtuar në vitin 2015 me relatore Nure Drenin, një gjykatë më e lartë kishte konstatuar mungesë arsyetimi në vendimin e Apelit. Ndërsa çështja e dytë gjyqësore lidhej me uljen e dënimit të një personi të dënuar për trafik narkotikësh, i dënuar me 2.8 vjet burg nga Gjykata e Apelit për Krīme të Rënda.

Ndaj gjyqtares Dreni nuk kishte pasur asnjë ankesë në Inspektoriatin e KLD-së për vitet 2003-2016 si dhe asnjë kërkesë për procedim apo masë disiplinore. Ndërsa në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ishin depozituar 10 denoncime, shumica e të cilave u rrëzuan si të pabazuara.

Mbrojtja e gjyqtares Dreni përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u nda thuajse përgjysmë mes saj dhe avokatit Genci Çifligu, të cilët u ndalën për më shumë se dy orë në çdo konstatim të bërë nga Komisioni.

Avokati i gjyqtares tha se për makinën Citroen, Komisioni nuk kishte marrë parasysh kursimet e deklaruara në cash, të cilat kishin shërbyer si burim për blerjen dhe ishin zëvendësuar më pas me të ardhurat e përfituara përmes një vendimi gjyqësor.

Lidhur me apartamentin, Dreni dhe avokati i saj sqaruan se ai i ishte blerë vëllait të bashkëshortit me kontratë të rregullt, në një kohë që ai kishte qenë në vështirësi financiare dhe i nevojiteshin paratë. Dreni mohoi që çmimi i blerjes ishte i ulët, duke iu referuar pozicionit jo të mirë të apartamentit, ndërsa shtoi se edhe banorë të tjerë në pallat kishin paguar çmime të përafërta.

Gjyqtarja Dreni shtoi në seancë se kishin provuar fitimet e bashkëshortit nga kompania “Dreni” sh.p.k përmes dokumenteve nga tatimet si dhe deklaratës noteriale të ortakut të kompanisë, i cili pohonte ndarjen përgjysmë të fitimit.

Ajo sqaroi se Komisioni i referohej bilanceve dhe mbledhjes së asamblesë për ndarjen e fitimeve si mungesë dokumentacioni –mungesa të cilat i justifikoi me kohën e gjatë që ka kaluar prej mbylljes së këtij aktiviteti në vitin 1996. Gjyqtarja kërkoi që Komisioni të merrte parasysh të ardhurat e saj dhe të bashkëshortit nga pagat për vitet 1988-1992, të cilat nuk ishin marrë në konsideratë për shkak të mosgjetjes së dokumenteve në Kukës.

Për të vërtetuar se ajo kishte punuar si gjyqtare, Dreni kishte dorëzuar si provë vendime gjyqësore të disponuara nga ajo. Një vend të rëndësishëm në mbrojtje zunë kundërshtitë për analizën financiare; që sipas subjektit nuk reflektonte të ardhurat nga pagat dhe nga interesat bankare të saj dhe bashkëshortit.

Dreni pretendoi gjithashtu se i ishin faturuar shpenzime shumë të larta dhe se Komisioni nuk kishte marrë parasysh dokumentet e dorëzuara prej saj për shpenzime shkollimi dhe akomodimi të vajzave në Mbretërinë e Bashkuar.

Në seancë, Dreni i kërkoi Komisionit të korrigjonte llogaritë e bëra për shpenzimet e shkollimit dhe udhëtimet e familjes, duke pohuar se kishte sjellë prova që vërtetonin deklarimet e saj.

Gjyqtarja pretendoi gjithashtu se kishte provuar me dokumente të ardhurat e kunatës së bashkëshortit dhe investimin e saj prej 3 milionë lekësh në bono thesari –veprim që sipas saj u krye për shkak të mungesës së një dege të Bankës së Shqipërisë në Kukës.
Ndërsa shtoi se kishte paraqitur si provë kontratën origjinale të porosisë të shkruar me makinë shkrimi, ajo kërkoi të mos penalizohej për mënyrën sesi noterja e kishte shënuar këtë kontratë në regjistër.

Dreni i mbrojti vendimet e saj si të drejta dhe të bazuara në ligj sa i përket kriterit të aftësive profesionale. Lidhur me çështjen e parë ndaj një të dënuari për mbajtjen e armëve në ambiente publike, Dreni tha se kishte respektuar parimin universal të dënimit me ligjin e kohës.

Për rastin e dytë të dënimit të një personi me 2.8 vjet burg, Dreni argumentoi se trupa gjykuese kishte marrë parasysh faktin se i pandehuri ishte përdorues dhe sasia e drogës ishte e vogël, 100 gram kanabis. Gjyqtarja Dreni i konsideroi denoncimet kundër saj si të pabazuara, ndërsa dha shpjegime për një rast të aplikimit të ligjit Antimafia si dhe një çështje ku ishte miratuar kërkesa e prokurorit për pushimin e një procedimi ndaj tre zyrtarëve të kallëzuar të drejtësisë.

“U vlerësua që vendimi i prokurorit ishte i drejtë. Është thërritur edhe kallëzuesi për të dhënë dëshminë e tij në Apel. Nuk ishim në kushtet që të prishej vendimi i mosfillimit të procedimit penal,” tha Dreni.

Anëtarët e trupës gjykuese nuk i drejtuan pyetje Drenit, ndërkohë që relatorja Pine e shfrytëzoi kohën e saj për të sqaruar subjektin se analiza financiare do të reflektonte ato kërkesa që shoqëroheshin me dokumente. Në fund të fjalës së saj, gjyqtarja Dreni vlerësoi maksimalisht procesin e vetingut për transparencën dhe komunikimin korrekt me trupën gjykuese.

“Në karrierën time si gjyqtare kam dhënë drejtësi bazuar në prova dhe në ligj,” përfundoi ajo, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne