Gonzato e vlerësoi raportin si pozitiv ndërsa kërkoi të vijohet puna për detyrat e radhës. Ai kërkoi bashkëpunim mes palëve për të çuar para reformat. Rama shprehu bindjen se në progres raportin e vitit 2027, BE do rekomandojë anëtarësimin.
TIRANË – Një ditë pas publikimit, ambasadori i BE-së i dorëzoi kryeministrit Edi Rama progres raportin për Shqipërinë për vitin 2025. Ambasadori theksoi progresin e mirë të bërë në negociata, të evidentuar edhe në raport, ndërsa shtoi se tanimë Shqipëria ka hyrë në një fazë përfundimtare, ku vendi duhet të tregojë vullnetin për të vijuar me hapat e mëtejshëm për arritjen e objektivit, anëtarësimin brenda 2030.
“Dua të përgëzoj autoritetet shqiptare për këtë rezultat. Të shfrytëzojmë këtë mundësi unike, pasi po hyjmë në një fazë vendimtare, ku do të testohet vullneti dhe aftësia e Shqipërisë për t’u afruar me standartet e BE. Komisioni Europian është gati të mbështesë Shqipërinë në çdo hap të rrugës së saj për realizimin e synimit ambicioz për mbylljen e negociatave deri në fund 2027″, tha ai.
Ambasadori theksoi edhe nevojën e përmbushjes së reformave të kërkuara, duke kërkuar bashkëpunim mes institucioneve, maxhorancës dhe opozitës, shoqëruar me debate të shëndetshme në Kuvend. Ky institucion, theksoi Gonzato, tha se ka një rol kyç në integrim dhe palët duhet të japin kontributin e tyre.
“Urgjencën e reformave që kjo nuk duhet të dëmtojë cilësinë e tyre, konsultime domethenëse përpara miratimin të shoqëruara me devate të shëndetshme në Kuvend. E them këtë se anëtarësimi është projekt gjithëshoqëror, që duhet t’i përqafojë aktivisht çdo vend. Ky projekt duhet të zotërohet nga qeveria, opozita, shoqëria civile. Të gjithë kanë rolin e tyre. Për këtë duhet të ketë legjimitet dhe konsensus.”, tha Gonzato.
Kryeministri Rama tha se progres raporti i BE tregoi mes të tjerash, pavarësisht sfidave që adresohen, se një gjë të rëndësishme që rruga e Shqipërisë drejt BE është në rrugën e duhur. Kreu i qeverisë shprehu bindjen se në raportin e vitit 2027, BE do të rekomandojë anëtarësimin e vendit tonë në Union.
“Raporti thotë një gjë, që Shqipëria është në rrugën e duhur, për të përmbyllur teknikisht negociatat brenda vitit 2027. Duke thënë këtë, raporti i ka thënë të tëra. Ndërkohë që patjetër që në këtë rrugë të duhur, ka sfida në çdo hap. Sfida dhe çështje për t’u adresuar jo vetëm në mënyrë sasiore por edhe cilësore në çdo hap.”
Një mesazh kishte edhe për kundërshtarët teksa iu tha se duhet të ndihen mirë “sepse kjo qeveri i ka bërë detyrat, edhe për mbështetësit edhe për kundërshtarët” dhe se “afrimiteti me BE është garanci për të gjithë”. Theksoi se PS s’ka ndërmend të ikë nga qeveria pa e futur vendin në Union.
Komentoi mes të tjerash edhe një deklaratë të bërë nga Marta Kos, teksa tha se e ka shprehur edhe vetë më herët idenë që vendet të kenë mundësi të ulen në mënyrë të barabartë në tryezën e BE-së pa të drejtë vetoje. Ambasadori pritet t’ia dorëzojë progres raportin edhe ministres së Jashtme, Elisa Spiropali dhe presidentit Bajram Begaj. /shqiptarja


















