Projektligji për lojërat e fatit, Komisioni i Ekonomisë gjen probleme të shumta, kërkon rishikim

Në mungesë të opozitës, mazhoranca shqyrtoi sot në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave projektligjin e lojërave të fatit. Sipas deputetëve të komisionit, ligji i draftuar më herët këtë vit nuk është në nivelet e duhura dhe ka shumë mangësi në disa fusha, si kontrolli i basteve online, monitorimi i platformave dhe menaxhimi i tyre nga shteti, jo nga sektori privat.

Ligji i draftuar në krye të herës nuk është në nivelin e sfidës për ta menaxhuar tregun, prandaj duhet një ligj më i plotë, u shpreh kryetari i komisionit, Eduard Shalsi. “Duhet menjëherë të nisë puna që të jetë një ligj më i plotë, dhe duhet të bëhen më shumë ndryshime për të formalizuar tregun më mirë.” Deputetët kërkuan që procedura për licensimin për 10 vite të kalojë nëpër dy faza, duke përfshirë kritere pikëzimi dhe investimi.

Një tjetër propozim i bërë nga komisioni është një sistem monitorimi për të shmangur manipulimin e platformave të bastave online. “Rreziku më i madh vjen nga manipulimi i platformave dhe nga ndërhyrjet në koeficientet e lojrave. Duhet një sistem ku të lihet gjurmë për të gjitha transaksionet e bëra në kompanitë e lojrave të basteve sportive live. Sugjerohet që ky sistem të jetë i monitoruar në kohë reale në një platformë që do të sigurojë mosmanipulimin e tyre.”

Kazinot online ishin një tjetër problem që komisioni kërkoi të përfshihen në projektligj. “Kazinot online nuk sigurojnë formalizimin e tregut dhe janë më së shumti në treg të zi, duke mos qenë konkurrente me kazinot fizike dhe nuk sigurojnë financat për buxhetin e shtetit.” Deputeti socialist, Erion Braçe, propozoi që lojërat e fatit të jenë monopol i shtetit dhe jo i privatit, duke shprehur që ky projektligj nuk kontrollon tregun dhe e lë ato në dorën e krimit.

“Ajo që propozohet është ta hapim. Unë mendoj se kemi bërë shumë mirë që i mbyllëm bastet. Ajo që nuk kemi bërë mirë është lufta kundër aktivitetit në të gjithë vendin. Duke e mbyllur këtë lloj aktiviteti, i dhamë dorë jo vetëm krimit të organizuar, por edhe punonjësve të policisë. Kjo ka bërë që të mos luftohet aktiviteti në të zi.” Bastet sportive online do të jenë të detyruara të kenë të regjistruar lojtarët e tyre, dhe të dhënat do të duhet të ruhen për të paktën tre vjet.

Këto baste, që specifikohen se do të jenë vetëm online, nuk do të kenë pika fizike, por faqe interneti, aplikacione dhe infrastruktura teknologjike e nevojshme që mundëson aktivitetin brenda kornizave të përcaktuara dhe që janë të monitorueshme./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne