Protesta për shkollën, deputeti i PD: Policia dhunoi fëmijët

Deputeti i PD, Luciano Boci tha se policia ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve gjatë protestës së ditës së djeshme në Mengël të Elbasanit për shkollën. Përmes një deklarate për mediat, deputeti i PD tha se fëmijët nuk kërkonin asgjë përveç shkollë së tyre, por policia ka ushtruar dhunë të paparë ndaj tyre dhe prindërve. Ndonëse pas protestës, sot kanë nisur punimet për rikonstruksionin e shkollës, Boci thotë se pas tre javësh do jenë sërish aty me qytetarët dhe nxënësit për të parë nëse shkolla do të rikonstruktohet apo do të shembet ashtu siç dyshojnë banorët.


Deklarata e plotë: 

Kur të gjithë presin që në Elbasan forcat speciale ti turren krimit të organizuar ulur këmbëkryq në qytet, Fatmir Xhafaj dhe i emëruari nga vëllai i tij trafikant në krye të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, lëshojnë policinë si banditë kundër fëmijëve. Me urdhër të drejtuesve më të lartë të rendit në vend, policia e Elbasanit, ndihmuar edhe nga Forcat Speciale kanë ushtruar një dhunë të pa parë ndaj nxënësve të shkollës Mengël të cilët nuk duan asgjë vetëm që të shkojnë në shkollë.

Në një kohë që krimi i organizuar dhe mafia mbajnë nën zap qytetin, policinë dhe jetën e qytetarëve të Elbasanit, forcat speciale të vëllait të të dënuarit për trafik droge, Agron Xhafaj, në vend që të përballen me ta, ju turren kafshërisht dje fëmijëve të klasës së parë që kërkojnë të drejtën themelore kushtetuese: arsimimin. Pamjet filmike të cilat i keni në ekran, tregojnë tmerrin që kanë përjetuar dje fëmijët dhe prindërit e tyre në fshatin Mengël të cilët në të drejtën e tyre protestonin paqësisht. Dhuna e djeshme ndaj fëmijëve dhe banorëve të fshatit Mengël, është një rast i paprecedentë në historinë shqiptare.

Policia e shtetit nuk dhunoi as djegësit e dhunshëm të gomave që bllokinin rrugët e vendit në vitin 2010, që krejt ndryshe nga këta fëmijë nuk kërkonin shkollë, por pushtet me dhunë dhe as deputetet që hipën sipër policëve në rrethimin e KQZ-së Partia Demokratike e dënon ashpër dhunën e ushtruar dje nga policia e shtetit ndaj fëmijëve të pafajshëm, e grave të pambrojtura, të cilët me të drejtë bllokuan rrugën nacionale, si e vetmja mundësi për të tërhequr vëmendjen e institucioneve që u kanë mbyllur padrejtësisht shkollën. Pikërisht pas protestës së fëmijëve dhe prindërve, bashkia u detyrua të gjejë një arsye të sajuar, për të justifikuar mbylljen e shkollës së fshatit Mengël.

Gjatë natës, zyrtarët e bashkisë kanë vendosur një tabelë ku lajmërojnë fillimin e punimeve me një shumë fare qesharake prej 600 Mijë lekësh për restaurimin e ndërtesës së shkollës, ndërkohë që deklaronin se ishte ajo e rrëzuar në një pjesë nga tërmeti dhe jashtë çdo funksioni. Dorëzimi i Bashkisë ishte një fitore e qëndresës, forcës e revoltës së banorëve të Mengëlit, të cilët meritojnë mirënjohjen e gjithë shoqërisë. Bashkia vrapoi mbrëmë për të dërguar ustallarët vetëm pas presionit të nxënësve dhe prindërve, mbështetur dhe nga opozita, duke u detyruar që të fillojë të paktën sa për sy e faqe restaurimin e shkollës. PD do ta ndjekë nga afër këtë çështje dhe sëbashku me komunitetin do të bëjë gjithçka që fëmijëve të fshatit Mengël, tu kthehet shkolla dhe ata ti rikthehen mësimit normal. Tre javë kalojnë shumë shpejt dhe ne do të jemi prapë aty, në Mengël, për të parë nëse shkolla do të rikonstruktohet apo do të shembet ashtu siç dyshojnë banorët.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne