Ilir Metën duket se po e tradhtojnë të gjithë. Pas Monika Kryemadhit që duket se e shiti te SPAK dhe bashkëpunëtorëve të tjerë të vjetër që e lanë në baltë, këtë herë e tradhtoi edhe Baba Mondi.
Ideja e Ramës për të krijuar një shtet bektashi ka magjepsur Haxhi Dede Edmond Brahimajn, i cili doli me shpejt në mbështetje të planit.
“Kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen; as nuk po kërkojmë ndikim apo pushtet politik. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare”, theksoi Kryegjyshi.
Mirëpo sot dukej i qejfmbetur miku dhe bashkëpunëtori i tij, Ilir Meta. Të gjithë e dimë se sa fort ka qenë i lidhur Meta me Kryegjyshatën, sa ka pasur dhe dyshime se Baba Mondi përdorej prej tij për të fshehur pronat dhe pasurinë. Meta sot ja dërgoi mesazhin, duke deklaruar se kjo është lojë e Ramës.
“Shashkë politike ku Rama është përfshirë vetë, çdo përpjekje politike dhe diplomatike për të promovuar jo vetëm një nga vlerat tona kombëtare, por dhe për ta identifikuar Shqipërinë si qendër bektashiane është e mirëpritur, por nuk mund të keqpërdoret si agjendë politike, aq më tepër kur nuk janë të konsultuara dhe që rrezikojnë të kthehen në precedent për rajonin tonë”, tha Meta. Por pse është qejfmbetur Meta? A mos vallë tani nuk ka se kush t’ia fshehë pronat, apo ka hallin se ato toka që janë kamufluar do t’i kalojnë zyrtarisht “shtetit bektashi” dhe ai ngel thatë.
“Pamfleti” ka shkruar shpesh se që nga tetori 2009 kur u emërua zv/kryeministër, ministër i Jashtëm e ministër Ekonomie dhe deri në muajin shkurt 2011, Ilir Meta kishte tentuar edhe me presion, të përdorte Krye-gjyshin Haxhi Dede Reshat Bardhi, për grabitjen e afro 1700 hektarë toka, me dokumente të falsifikuara si gjoja toka të Gjyshatës në Shqipëri.
Madje në funksion të këtij qëllimi, Ilir Meta në pushtet me Sali Berishën, emëroi të besuarit e tij, drejtor të LSI në komisionin e kthimit të pronave, arkiva e hipotekat Tiranë, Shkodër, Elbasan, Korçë, Fier, Vlorë, Sarandë ku kishte piketuar tokat që do grabiste.
Por Haxhi Dede Reshat Bardhi, refuzoi të bëhej pjesë e mëkatit të mashtrimit, falsifikimit e grabitjes së tokave të pronarëve legjitimë e të shtetit; nxitje e presion, për të cilin i dërgoi informacion konfidencial institucioneve të shtetit, por pas refuzimit e ankesës, vdiq më 2 prill 2011.
Më 11 qershor 2011, në vend të tij u emërua ish-oficeri i xhenjos, Edmond Brahimaj, me të cilin krijoi lidhje të fortë Ilir Meta; madje doli duke trazuar ashuren e parë pasi u bë “Haxhi Dede”, dhe menjëherë nisën ofensivën për grabitjen e tokave, nën maskën e pronësive të Gjyshatës Shqiptare.
E nisën sulmin në shtator 2011, për të marrë 210 hektarë toka, pyje e vijë bregdetare në Delvinë, Sarandë, Borsh, Himarë e Vlorë, duke paraqitur nëpër gjyqe tapi të falsifikuara të viteve 1890-1912 e vitit 1945, të lëshuar nga drejtorët e LSI në arkiva e prefektura, kur historikisht ato toka kanë qenë pronë të shtetit e familjeve të pasura të jugut.
Falsifikimet e tapive nga grupi “Baba Mondi- Ilir Meta”, të firmosura nga drejtorët e LSI, u vërtetuan me ekspertimet që bëri prokuroria, për llogari të ish-pronarëve e Avokaturës së Shtetit.
Dhe në Elbasan, Ilir Meta i vuri syrin 110 ha park, që njihet si Kurorë e Gjelbër përballë qytetit, duke përdorur Baba Mondin, që ka paraqitur tapi e dokumente false në emër krye-gjyshatës.
Për 200 hektarë tokë në Tiranë, Durrës e Vlorë, Agjencia Qendrore e Kthim- Kompensimit të Pronave lëshoi dokumente false, mbështetur me vendime nga gjyqtari i famshëm Agron Zhukri, i vulës së Saliut, i cili ka lejuar që Baba Mondi të vazhdojë procedurat e kthimit të këtyre pronave.
Kjo histori falsifikimesh, është përsëritur për 9170 m2 pemëtore, 720 m2 truall e për 59.4 hektarë sipërfaqe Reparti Ushtarak “101-K” në Elbasan dhe për 17.6 hektarë në Gramsh; ndërsa më 2 gusht 2015, Baba Mondi deklaroi në media, se ka 60 gjyqe në proces e tani ka 85 çështje gjyqësore tokash, të cilët nuk është rastësi që ia përfaqësojnë avokatë të lidhur me Ilir Metën.
Saktësojmë, se 6 muaj pasi Ilir Meta u emërua Kryetar Kuvendi, Gjyshatës së Shqipërisë, iu dhanë si kompensim 40 hektarë toka shtetërore në Sarandë, Vlorë e zonën jugore; 36 hektarë prej të cilave u janë dhënë biznesmenëve, ndërtuesve ndërtues e personave të lidhur me Ilir Metën.
Pra nga gjithë këto ndere që Meta i bëri Baba Mondit, të mos ketë asnjë pjesë aty? /Pamfleti