Pse nuk është kapur deri tani peshku i madh sipas ish-kryeprokurorit

Ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku ka komentuar perspektivën e zbatimit të reformës në drejtësi, sidomos për sa i përket drejtësisë penale.

“Problemi i peshqve të mëdhenj apo të vegjël, kjo është çështje që koha do ta tregojë. Por organi i procedurës, prokuroria dhe gjykata tani, kanë për detyrë provat. Që i madh apo i vogël, po janë faktet, po janë provat për ti vënë para akuzës duhet të vihen. Pavarësisht se çfarë emri ka, është politikan apo qytetar i thjeshtë. Pavarësisht se është politikan, pavarësisht se shkruajnë mediat, edhe ai është qytetar dhe ka të drejtën të ketë disa garanci që të prezumohet i pafajshëm derisa akuza ti gjejë provat dhe ti thotë që akuzohesh për 1,2,3, 4, faktet janë 1,2,3,4 dhe më jep ti opinion tënd. Po nuk u gjetën prova, mendoj se nuk kemi nevojë për gjueti shtrigash por procese të rregullta ligjore pavarësisht nëse është Ministër, deputet, politikan apo qytetar i thjeshtë”, thotë Sollaku.

Një problem sipas tij që ka sjellë situatën e tanishme është hetimi. Hetimi që mbledh provat dhe përgatit dosjen për në gjykatë. Këtu duket se çalon puna dhe ndoshta aty do parë  një vullnet për shmangien e drejtësisë.

“Drejtësia penale ka shumë probleme por baza është hetimi. Ka vite të tëra që hetimi po kalon nga një dorë në dorën tjetër, diku thotë policia e kam unë, diku thotë prokuroria e kam unë, diku ja lënë topin njëri-tjetrit, por baza është hetimi. Shqipëria akoma nuk po vë si duhet policinë gjyqësore në baza të shëndosha, me infrastrukturë, njerëz profesionistë,me njerëz që e njohin mirë kodin e procedurës penale, me njerëz që i dinë mirë taktikat dhe teknikat e hetimit.

Të shohim çfarë efekti do të ketë SPAK dhe Byroja e Hetimit që pritet të ngrihet së shpejti. Por në fund të fundit ata nuk janë gjë tjetër veçse oficerë të policisë, të cilët besoj se do të kenë një trajtim më ndryshe, do të jenë më të motivuar, do të kenë garanci më të mëdha për të qëndruar në detyrë dhe ndoshta kjo do ti bëjë ata për të qenë më të preokupuar për t’i çuar deri në fund çështjet”, shtoi ai.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne