PSE PO I HYJ GARËS PËR PRESIDENT

Vëllezër e motra!

Ju bëj me dije se kam vendosur të hyj në garën për president të SHBA. Ju kërkoj të bashkohemi sot në një fushatë nga poshtë të paprecedent dhe historike që do të nisë me së paku një milion vetë nga mbarë vendi.

Fushata jonë nuk ka të bëjë vetëm me mposhtjen e Donald Trump-it, më të rrezikshmit president të historisë moderne amerikane, as vetëm me shpalljen kandidat i Partisë Demokratike dhe fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Fushata jonë ka të bëjë me transformimin e vendit dhe krijimin e një qeverie të bazuar në parimet e drejtësisë ekonomike, shoqërore, racore dhe mjedisore.

Fushata jonë ka të bëjë me kundërvënien ndaj interesave të veçanta të të fuqishmëve që mbisundojnë jetën tonë ekonomike dhe politike. E kam fjalën për Wall Street-in, kompanitë e sigurimeve shëndetësore, kompanitë e ilaçeve, industrinë e naftës, kompleksin ushtarako-industrial, industrinë e burgjeve private dhe korporatat shumëkombëshe gjigande që kanë kaq shumë ndikim në jetët tona.

Fushata jonë ka të bëjë me dyfishimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund racizmit, seksizmit, homofobisë, fanatizmit fetar dhe të gjitha formave të diskriminimit.

Fushata jonë ka të bëjë me krijimin e një demokracie të gjallë, që e rrit maksimalisht pjesëmarrjen në zgjedhje, siç ndodh në çdo vend të rëndësishëm të botës, duke i dhënë fund njëkohësisht përjashtimit të votuesve, vendimit Citizens United dhe niveleve çmeritëse të xherrimanderizmit .

Fushata jonë ka të bëjë me krijimin e një qeverisie dhe ekonomie që punon për të shumtër, jo thjesht për të paktët. Ne jemi kombi më i pasur i historisë së njerëzimit. Nuk mund të pranojmë nivele groteske pabarazish pasurore, ku tre miliarderë kanë më shumë pasuri se gjysma e poshtme e shoqërisë.

Nuk mund të pranojmë të kemi 30 milionë amerikanë pa sigurime shëndetësore, edhe më shumë syresh të nënsiguruar, si dhe të jemi një vend ku jetëgjatësia është në rënie.

Nuk mund të pranojmë një ekonomi në të cilën dhjetëra miliona punëtorë të marrin rroga mjerane dhe ku gjysma e punëtorëve më të moshuar të mos kenë kursime përpara daljes në pension.

Nuk mund të kemi normën më të lartë të varfërisë fëminore krahasuar me pothuajse të gjitha vendet e mëdha të botës dhe një sistem jofunksional të kujdesit për fëmijët, i cili është i padrejtë për prindërit që punojnë dhe fëmijët e tyre.

Nuk duhet të kemi një sistem taksimi regresiv në të cilin korporatat e mëdha fitimprurëse, si Amazon-i, nuk paguajnë taksë të ardhurash në nivel federal.

Të mos na gënjejë mendja: Interesat e veçanta të të fuqishmëve kanë një pushtet të pabesueshëm në vendin tonë dhe atyre u intereson status quo-ja. Ata kanë para pafund për t’i shpenzuar në fushata dhe lobingje, siç kanë shumë ndikim mbi mediat dhe partitë politike.

E vetmja mënyrë për të fituar në këto zgjedhje dhe krijuar një qeveri e ekonomi që punon për të gjithë është një lëvizje nga poshtë – siç nuk është parë asnjëherë më parë në historinë amerikane.

Ata mund të kenë paratë dhe pushtetin. Ne kemi popullin. Prandaj na duhen një milion amerikanë për këtë fushatë.

E dimë mirë se po jetojmë në një moment kyç dhe të rrezikshëm të historisë amerikane. Po garojmë me një president që është një gënjeshtar patologjik, hileqar, racist, seksist, ksenofob dhe që po i vë minat demokracisë amerikane duke na çuar drejt autoritarizmit.

Unë po garoj për president sepse, sot më shumë se kurrë, na duhet udhëheqje që nuk na ndan, por na bashkon. Gra dhe burra, të zinj, të bardhë, latinë, amerikanë të hershëm, aziatiko-amerikanë, gay dhe heteroseksualë, të rinj e të vjetër, të lindur amerikanë dhe imigrantë. Sot është dita për t’u bërë bashkë.

Po garoj për president sepse neve na duhet një udhëheqje që do të luftojë për familjet punëtore dhe për klasën e mesme në rrudhje, jo vetëm për 1-përqindëshin e shoqërisë. Neve na duhet një president që e kupton se mund të krijojmë miliona vende të mirëpaguara pune, mund të ringremë infrastrukturën në rrënim e sipër dhe të ndërtojmë shtëpi të përballueshme, për çka kemi kaq shumë nevojë.

Po garoj për president sepse na duhen politika tregtare që pasqyrojnë interesat e punëtorëve dhe jo të korporatave shumëkombëshe. Duhet të rrisim pagën minimale për të arritur nivelin e pagës së dinjitetshme, të sigurojmë barazinë e pagës për gratë dhe t’u garantojmë të gjithë punëtorëve leje të paguar.

Po garoj për president sepse ne duhet të kuptojmë se inteligjenca artificiale dhe robotika duhet t’u shërbejnë nevojave të punëtorëve, jo thjesht korporatave dhe atyre që i kanë në pronësi teknologji të tilla.

Po garoj për president sepse një komb i madh nuk gjykohet nga numri i miliarderëve dhe i armëve bërthamore, por nga mënyra se si trajton më të brishtët – të moshuarit, fëmijët, veteranët, të sëmurët dhe të varfrit.

Po garoj për president sepse për të vendosur kursin tonë qeverisës duhet të bazohemi te shkenca, jo te politika e ditës. Neve na duhet një president që e kupton se ndryshimi klimatik është real, përbën një rrezik ekzistencial për vendin tonë dhe mbarë planetin dhe se mund të krijojmë shumë vende pune duke e larguar sistemin tonë energjetik nga nafta për ta çuar drejt eficiencës energjetike dhe energjisë së qëndrueshme.

Po garoj për president sepse kemi humbur shumë kohë duke mbetur në bisht të vendeve të tjera të mëdha të botës për sa i përket çështjes së Tokës dhe garantimit të kujdesit shëndetësor si e drejtë që u takon të gjithëve, jo si privilegj.

Po garoj për president sepse ne duhet t’i kundërvihemi grykësisë mizore të industrisë farmaceutike dhe të ulim çmimet e ilaçeve.

Po garoj për president sepse ne duhet të kemi forcën punëtore më të arsimuar në botë. Është tërësisht kundërproduktive për të ardhmen tonë që miliona amerikanë janë të zhytur deri në fyt në borxhe studentore, ndërsa shumë të tjerë nuk mund të përballojnë koston e lartë të studimeve universitare. Prandaj duhet t’i bëjmë kolegjet dhe universitetet publike pa tarifa dhe të ulim borxhin studentor.

Po garoj për president sepse ne duhet ta mbrojmë të drejtën e gruas për të kontrolluar trupin e saj kundër sulmeve politike masive që po ndodhin në nivel lokal, shtetëror dhe federal.

Po garoj për president sepse na duhet një reformë e vërtetë e sistemit penal. Duhet të investojmë në arsimimin dhe punësimin e fëmijëve tanë, jo në shtimin e burgjeve dhe të burgosurve. Duhet t’i japim fund shkatërrimtares “luftë kundër drogës”, të eliminojmë burgjet private dhe blerjen e lirisë me kusht, si dhe të bëjmë një reformë të rëndësishme në trupën policore.

Po garoj për president sepse duhet t’i japim fund demonizimit të imigrantëve pa dokumente dhe të shkojmë drejt një reforme gjithëpërfshirëse imigrimi. Duhet t’u japim menjëherë status ligjor të rinjve që përfitojnë nga programi DACA dhe të ndërmarrim një politikë humane për imigrantët që kërkojnë azil në kufi.

Po garoj për president sepse ne duhet t’i japim fund dhunës epidemike që shkakton mbajtja e armëve në vendin tonë. Duhet të përballemi me NRA , të shtojmë kufizimet e mbajtjes së armëve, t’i japim fund nxjerrjes së armëve në publik dhe të ndalojmë shitjen dhe shpërndarjen e armëve automatike.

Po garoj për president sepse na duhet një politikë e jashtme që fokusohet te demokracia, të drejtat e njeriut, diplomacia dhe paqja botërore. SHBA duhet të udhëheqë në përmirësimin e bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër ndryshimeve klimatike, militarizmit, autoritarizmit dhe pabarazisë pasurore globale.

Afërmendsh, nga bota vijnë plot lajme të frikshme e të kobshme. Po, më lejoni t’ju jap disa lajme fort të mira:
Gjatë fushatës së 2016, kur shpalosëm agjendën tonë progresiste, na u tha se idetë tona ishin “radikale” dhe “ekstreme”. Na u tha se kujdesi shëndetësor për të gjithë, paga minimale 15 dollarë në orë, kolegjet dhe universitetet publike falas, lufta e pakompromis kundër ndryshimeve klimatike, kërkesa që të pasurit të taksoheshin aq sa u takon ishin të gjitha koncepte që populli amerikan nuk do t’i pranonte kurrë.

Po ja që kanë kaluar tri vjet dhe, si rezultat i ngritjes në këmbë dhe përpjekjeve të miliona amerikanëve, këto e më shumë politika po mbështeten tanimë nga shumica e amerikanëve.

Së bashku, ju dhe unë kemi nisur revolucionin politik gjatë fushatës së 2016. Tani ka ardhur koha për ta çuar në fund atë dhe për të jetësuar vizionin për të cilin kemi luftuar.

Pyetja që kam për ju është:
Do të bashkohemi si pjesë e një lëvizjeje nga poshtë 1-milion-vetëshe, e cila mund që jo vetëm të fitojë zgjedhjet brenda Partisë Demokratike, jo vetëm të fitojë zgjedhjet e përgjithshme, por, ç’është më e rëndësishmja, të ndihë në transformimin e vendit në mënyrë që, mbramësisht, të kemi një qeveri që punon për të gjithë ne dhe jo thjesht për të paktët?

Së bashku, ne mund të krijojmë një komb që e udhëheq botën në përpjekjen për paqe dhe drejtësi ekonomike, racore, shoqërore dhe mjedisore.

Së bashku mund ta mposhtim Donald Trump-in dhe të riparojmë dëmin që i ka sjellë vendit.

Vëllezër e motra! Nëse qëndrojmë bashkë, nuk ka cak për çka mund të arrijmë.

Shpresoj se do të më bashkoheni.

Ju faleminderit!

Solidarisht,

Bernie Sanders

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne