Pse Rama nuk u rrëfye te Strakosha por te Fevziu?

Nga Ermal Mulosmani  

Në daljen e fundit televizive, Kryeministri Edi Rama foli gjatë për jetën e tij, qysh nga kohët kur mbante mend e deri në ditët e sotme. Foli për diktaturën, Enver Hoxhën, Kristaq Ramën, opozitarizmin e tij të hershëm, luftën e ideve me atin biologjik, ironinë që i bëri fati në dhjetor 90 dhe në fund edhe për historinë politike të tij.

Ishte një “rrëfim jetësor”-siç i pëlqen Fevziut ta quajë- ku ai mund të thoshte çfarë të donte dhe gazetari nuk kishte asnjë detyrim të verifikonte të vërtetat e tij (këtë detaj të vogël Fevziu e shpjegoi mbrëmë, tek Çani). Një nga ato rrëfimet zëulëta, të përkora përplot mirëkuptim dypalësh, njëfarë muhabeti i këndshëm e me shije- ku na u tregua një Ramë tjetër, i vetmuari i madh që kërkonte mirëkuptimin e popullit për shkretinë dhe boshllëkun që të krijon pushteti. Të bëhej që në fund të atij rrëfimi t’i thuhej “Lëre se boll u mundove për ne, kjo torturë duhet të mbarojë”

Fevziu dëgjonte i mahnitur. Gati harronte të bënte pyetjet aq shumë përhumbej në historitë e bukura kryeministrore.

Rrëfime si ky shpesh i kemi parë të Bledi Strakosha, në vila luksoze pranë gotës me verë, oxhakut që kërcet e pianos në sfond, ku miqtë ekskluzivë të tij tregojnë “të parrëfyerat e jetës”. Janë rrëfime të bukura, sentimentale, ku robi i dorëzohet nostalgjisë dhe kujtimeve me fotografi. Zakonisht i bëjnë figura në perëndim të karrierës së tyre, me sytë e zërin e mallëngjyer dhe në orët e vona të natës…

Mirëpo më i madhi i politikës rrëfehet vetëm te më i madhi i showbizit, në orën dhe emisionin më të shikueshëm televiziv shqiptar.

**********

Bota ka dhënë shembuj të jashtëzakonshëm gazetarie. Një ndër më të shkëlqyerit është dokumentari i gazetarit Alan Friedman për jetën e Silvio Berluskonit me titull “My Way”. Dokumentari fillon me fjalët e Berluskonit:

“Për shumë vjet, shumë gazetarë më kanë kërkuar tu tregoj historinë time jetësore. Unë gjithmonë kam refuzuar. Kam rënë dakort të bashkëpunoj me gazetarin Alan Friedman sepse unë e besoj atë”,

dhe mbyllet me fjalët e gazetarit të mirënjohur amerikan:

Pasi libri im ishte publikuar, Berluskoni nuk ishte i kënaqur. Ai më kishte thënë mua që  priste një libër në të cilin festohej jeta e tij. Në vend të kësaj unë zgjodha të tregoja gjithë të vërtetën e plotë për këtë njeri magjepsës por me shumë difekte. Ishte vjeshta e 2015-ës kur unë u largova nga vila e tij për herë të fundit. Ne akoma nuk kemi folur më qysh atëherë”.

Në mes këtyre dy frazave ndërtohen rreth 100 minuta histori ku Berluskoni flet më pak se gjysmën e kohës. Pjesa tjetër e dokumentarit janë kundërshtarët, prokurorët, mafiozët, poltikanë botërorë, gazetarët, komentatorët politikë, bashkëpunëtorët, të afërmit… Një pikturë e jashtëzakonshme e jetës së tij, përplot ngjyra dhe shumë afër të vërtetës. Rrëfehen prapaskenat e xhirimit, hapet shtëpia e tij e tëra me luksin dhe shkëlqimin milionar. Kur filmi mbaron çdo shikues ka ndjesinë e një leksioni gazetarie dhe mënyre xhirimi dokumentare…

**********

Tani le të zgjohemi e të kthehemi te intervista jonë. Do merrem vetëm me dy momente të saj.

Në rrjedhën e bisedës Fevziu e pyeti për firmën e të atit të Kryeministrit në ekzekutimin me pushkatim të Avzi Nelës. Kryeministri u kujdes të mos ia përmendë emrin viktimës duke e quajtur: “rast mjaft i trishtuar rasti i atij individi” duke vazhduar me fjalët “historia e tij është komplekse” si për të kritikuar ata që e vlerësojnë veç “bardh e zi” ose më mirë e paragjykojnë pushkatimin e tij (ndjesë nëse e kam kuptuar gabim por atë përshtypje më dha) dhe në fund deklaroi :

“Më mungon bindja për atë firmë, firmën e tij e kam në disa libra dhe nuk jam i bindur”.

Sigurisht që verifikimi i një shkrese të tillë është elementar, ajo ruhet në arkiva dhe fare lehtë mund të verifikohet, ka ekspertë që e vërtetojnë këtë gjë. Mirëpo kjo nuk ishte një gjë e rëndësishme pasi humbiste ritmin e muhabetit…

Momenti i dytë ishte kur Fevziu e pyeti për vilën e tij në Surrel.

Kryeministri u kujdes të korrigjonte që shtëpia e tij në Surrel nuk është vilë  por është një nga 500 mijë shtëpitë e shqiptarëve, 3-4 katëshe, që ndodhen të shpërndara kudo në Shqipëri.

Gazetari kishte mundësinë sigurisht t’i kërkonte këtu zotit Kryeministër të shuante gjithë thashethemet, të filmonte brenda dhe jashtë shtëpisë së tij të thjeshtë! Mirëpo ky detaj i vogël u harrua nga muhabeti që rrëshqiti vaj e na mbërtheu.

Pastaj, kur e mendon se shqiptarët paskan 500 mijë shtëpi si ajo e Kryeministrit, me nga 5 banorë/shtëpi, i bie që 2 milion e gjysmë shqiptarë jetokan në të tilla shtëpi. Fevziu u pajtua me këtë shifër por i kujtoi se ata nuk ishin politikanë si ai…

Kryeministri shpjegoi konceptin e tij bohem të shtëpisë, sipas të cilit “Unë jam shtëpia ime” me të cilin Fevziu nuk është se ishte dakort. Ai ndërhyri dhe i shpjegoi që shtëpia është edhe status, koncept me të cilin Kryeministri nuk ishte dakort e këtu u shënua edhe momenti më dramatik i bisedës, i cili u tejkalua prej tolerancës kryeministrore…

Me të tilla debate shkoi rrëfimi jetësor që në fund të tij na çoi në muzeun e Kryeministrisë ku shqiptarët patën rastin të njihen me dhuratat e jashtëzakonshme të figurave botërore të politikës e artit i dhanë me dedikim e bujari Kryeministrit tonë e ky i fundit me kaq dashuri po ia dhuron fondit të Kryeministrisë. Ra në sy edhe në këtë finale një dialog interesant kur kaluan në repartin e orëve të dhuruara. Aty Fevzo u përkul thellë dhe duke i soditur orët komentoi:

Njëra prej tyre qenka e mbushur e gjitha me diamante”.

Kryeministri: “Ajo është një arsye tani që të na shpërthejnë Kryeministrinë”

Fevziu: Sa mund të kushtojë ajo orë”?

Kryeministri: “Vlerat e orëve t’i kam lënë ty Fevzi, unë di vetëm idenë e të bukurës”

Mesazhi u dha, Kryeministri ynë është një misionar, një bohem që nuk i njeh paratë, që dhuratat qindra mijëshe i dorëzon në muzeun e shtetit, që pushtetin e ka mjet për të realizuar qëllime, që jeton i pushtuar nga një vetmi e madhe që vetëm një qëllim i madh si  përparimi i Shqipërisë po e mbërthen në atë strofull trishtimi.

Unë dua t’i besoj të gjitha këto por do të bindem vetëm pasi të shoh shtëpinë e thjeshtë të zotit Kryeministër. Atëherë dhe vetëm atëherë. Dhe jo shtëpinë  me cepa të trukuar me varfëri, me beton gri të errët e lagështirë të filmuar nga teknologët politikë të Kryeministrit. Unë e besoj nëse aty mbërrin një kamera si e Alan Friedmanit jo e Fevzos. /Gazeta Express/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne