Pse Rama trimërohet në Shkozë dhe tërhiqet në Himarë

Banorëve të Shkozës iu prishën shtëpitë pa asnjë lajmërim. Nuk iu dërgua asnjë njoftim zyrtar. Madje pas shembjes iu kërkuan të firmosin një procesverbal, sipas të cilit, ata e kishin kërkuar vetë prishjen.

Këtë denoncim për veprime arbitrare e tinëzare të shtetit ata e bënë mbrëmë në emisionin Opinion, në Klan.

Asnjë nga autoritetet nuk i ka përgënjeshtruar ende. Prej 4 ditësh mbi 160 familje janë ngritur në protestë teksa fadromat e IKMT po u rrafshojnë shtëpitë, pasi ndodhen në gjurmën e zgjerimit të Lanës.

Disave u është ofruar 1 vit pagesë qeraje. Asgjë më tepër. Janë shtëpi me tapi, në proces legalizimi apo të palegalizuara; të fundit të ndërtuara në fillim të viteve ’90.

Ajo që bie në sy në pretendimet e banorëve është fakti se si po vepron shteti me shembjet: pa i respektuar procedurat, pa i njoftuar zyrtarisht banorët dhe pa pyetur për pasojat sociale që krijon duke lënë jashtë qindra banorë.

Një përfaqësues i Avokatit të Shtetit u ankua gjithashtu se nuk i janë vënë në dispozicion dokumentat e kërkuara. Kjo është provë e mungesës së transparencës, që shton dyshimet për shkelje që kryhen nga autoritetet shtetërore, në këtë rast  IKMT që po kryen shembjet.

Image result for shemben shtepite ne Shkoze

Teksa në Shkozë veprohet në këtë mënyrë, në një tjetër zonë ku u paralajmëruan shembje të shtëpive për t’i hapur rrugë një plani rregullues, veprimet janë pezulluar. Në Himarë qeveria duket e tërhequr nga plani që e futi në telashe me Athinën.

Ministria e Jashtme Greke reagoi ashpër në tetor të vitit 2016 kundër planit për të shembur 19 shtëpi të familjeve minoritare në Himarë, si pjesë e planit rregullues.

“Po ndjekim me shqetësim të madh atë që po ndodh në Himarë, ku informohemi se 19 familjeve të minoritetit grek u është dhënë 5 ditë afat që të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi do të shemben. Autoritetet shqiptare duhet të veprojnë për të anuluar shembjet e banesave.

Himarë, arbitrariteti dhe klientelizmi qeveritar sollën revoltë shoqërore

Athina i kujtoi qeverisë së Edi Ramës se mund ta bllokojë në procesin e integrimit.

“Mbrojtja e të drejtave të pronësisë veçanërisht ajo e minoriteteve, është një pjesë e 5 kushteve të vendosura nga Bashkimi Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë. Prandaj, në qoftë se Shqipëria dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duhet të tregojë që vepron si një shtet ligjor duke mbrojtur nga arbitrariteti dhe veprimet e paligjshme të drejtat e të gjithë banorëve pavarësisht kombësisë dhe origjinës”.

Protestat e banorëve të Himarës nga njëra anë dhe presioni i Athinës nga ana tjetër ia kanë lidhur duart Ramës. Së fundi edhe Brukseli, nën ndikimin e Greqisë, po ushtron presion ndaj qeverisë shqiptarë që procedurat t’i kryejë në përputhje me ligjin dhe të ndërpresë planet e saj në Himarë.

Nën këtë trysni Rama e ka frenuar planin në Himarë. Ndërsa në Shkozë, ku banorët nuk arritën të sensibilizonin sa duhet ndërkombëtarët, edhe pse protestuan para Ambasadës Amerikane, ruspat e qeverisë vazhdojnë të sheshojnë shtëpi të banuara e të lënë në qiell të hapur, teksa dimri po vjen, të paktën 160 familje, me të moshuar ë femijë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne