Pse të mos bëhem unë grek, kur ti je bërë italian, gjerman…

Të dy jemi shqiptarë, nga Veriu apo nga Jugu, nga Perëndimi apo nga Lindja, ku fle e fluturon shqiponja, ku flitet e këndohet shqip, mbi tela lahute e sharkie, mbi kacekë gajdeje e iso Labërie….

Na u desh të ikim, secili duke mbajt në shpinë trastën e mbushur me hallin e vet. Na u desh të hedhim rrënjë, në fillim si gruri kur nxjerrrrënjëzën që bujku e quan të rreme, sa për tu mbajtur në tokë e formuar tufën e rrënjëve të vërteta xhufkore e lartësuar lastarin e nxjerrë kallirin…

Kohë e gjatë përpjekjesh për mbijetesë…

Mua më ra të kaloj maleve…

Ty të ra të kaloje deteve…

Atij i ra të lëkundej në krahë avionësh…

Të gjithë shtrimë duart për një copë letër “të gjelbër”…

Kështu më duket se gjen përkthim në shqip nga të gjitha gjuhët ajo copë letër e dëshirueshme deri në skaje …

Tash, pas një çerek shekulli qëndresë, përballjesh të lodhshme, udhëtimesh “shtigjesh të pashkelura”, pa busull nga vendlindja, mund të them se jemi qetësuar.

Kemi filluar të kërkojmë më shumë.

Të kërkojmë nënshtetësi…

Të bëhemi “grekë”, “italianë”, “gjermanë”, “anglezë”, “amerikanë”…e deri “australianë”.

Unë jetoj në Greqi tash 22 vjet. Kam letra 5-vjeçare që më lejojnë të udhëtoj, madje edhe të punoj në të gjithë Bashkimin Evropian.

Dua të marr nënshtetësi greke, të bëhem “grek”.

E dua po me ato motive që e do ti që jeton në Itali, Gjermani, Angli, Amerikë, Australi…

Mos i radhisim motivet…

Secili i din se i ka kaluar mbi palcën e kurrizit nga qafa në të ndenjurat e në fijet nervore nga truri tek gishtat e këmbëve…

Meditova mbi rreshta sepse Greqia ku jetoj  po përmirëson kuadrin ligjor për dhënien e nënshtetësisë, duke nxjerrë rregulla të reja që u japin mundësinë mijëra emigrantëve që ta marrin atë.

“Duam, tha ministrii Brendshëm grek, që me qëndrimin tonë të dërgojmë mesazhet e duhura në të gjithë botën kundër ksenofobisë dhe racizmit.Duam t’i japim shanse të gjithëve, pavarësisht origjinës së tyre. Po përmirësojmë kuadrin ligjor për dhënien e nënshtetësisë.Vendosëm dhënien e mundësisë për fëmijët e lindur në vend, por që për arsye të ndryshme nuk përfitonin, si u jepet mundësia edhe shumë të tjerëve të marrin nënshtetësinë”.

Ministri i Brendshëm tha se po bëhen ndryshimet e duhura ligjore, për të mundësuar dhënien e nënshtetësisë tek:

personat që kanë mbi 12 vite që qëndrojnë në Greqi,

grup moshat mbi 65 vjeç,

personat me aftësi të kufizuar,

pjesëtarët e komunitetit rom të lindur në Greqi…

Sipas ministrisë së Punëve të Brendshme greke, në Greqi jetojnë 850 mijë emigrantë.

Statistikat tregojnë se 174.394 nënshtetësi janë dhënë në 2011-2017.

93 për qind e përfituesve të nënshtetësisë janë nga Shqipëria.”

Në “të thënë e në të bërë” ka gjithnjë “një det të tërë”.

Këtë e kam përjetuar fort në shpinë si gjithë të tjerët këtu e ma do mendja edhe atje ku mërgimtarët shqiptarë janë shpërndarë sa nuk ka qytet (nuk po e ekzagjeroj e të them fshat) në botë ku nuk flitet shqip.

Vendosa që sapo të miratohet ligji (gjithnjë me demonstrata para parlamentit e grushte brenda tij) të aplikoj edhe unë për nënshtetësi greke.

Pse mos ta bëj kur e ke bërë ti në Itali, Gjermani, Kanada, Australi, Kolumbi…

Një lutje kam për lëçitësit e këtyre radhëve: Mos më quani grek thjesht se do të marr nënshtetësi greke  ashtu siç nuk do tu quaj unë italian, gjerman, anglez, amerikan, kanadez…

Jam shqiptar në gjak e gjini, ashtu siç jeni edhe ju shpërndarë si fara e hithrës.

Ama një gjë mesazh dua tu përcjell:

Fëmijëve, nipërve, mbesave u flisni shqip, kudo që jeni, në shtëpi apo në shëtitje. U mësoni të lexojnë, shkruajnë e këndojnë shqip…

Kërkojini me të gjitha mjetet demokratike shtetit që ta shtrijë mësimin e gjuhës shqipe kudo ku jetoni e punoni…

*Abdurahim Ashiku  – Gazetar, Greqi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne