Pse Tsipras s’po e konfirmon takimin me Ramën në Shqipëri

PANAJOT BARKA

Presidenti i Republikës, bashkë me dhënien e autorizimit ministrit të Jashtëm, Bushati, që e legjitimon atë për dhënien e plotfuqishmerisë për grupin negociator për arritjen e marrëveshjës së detit me Greqinë, vuri theksin në nëvojën e mënjanimit të protagonizmit nacionalist në këtë proces, shoqëruar me idenë e një marrëveshjeje të drejtë e të ndershme, mbështetur mbi vijëndarje të arsyeshme. Kjo referencë spostoi edhe vendosmërinë e vetë Metës për vijën e kuqe që vendos, sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i prillit 2010 dhe për parimet kushtetuese.

Por a mjaftojnë këto referenca për të krijuar bindjen se vërtet bëhet fjalë për një klimë të tillë në arritjen e marrëveshjes së detit midis dy vendeve? Pyetja bëhet më intriguese për faktin se me dashje apo dashje kjo çështje, në “paketat” e të dy vendeve për të arritur marrëdhënie të mira mestyre, tregon se përbën gravitetin bazë. Nga ana tjetër, pala shqiptare, nëpërmjet pohimit të ekzistencës së filtrave të treta për çdo hap në negociatat e drejtpërdrejta për detin dhe përputhja e vijave të kuqe të saj me aspiratën e krijimit të precedenteve në raportet e Greqisë me të tretë, fqinj strategjikë të Shqipërisë, risjell në skenë aksiomën historike se interesat e saj janë komplementare me interesa të të treteve (të fortë) dhe kur ato i kundërvihen një pale tjetër.

Analiza e ftohtë edhe në këtë rast e vërteton këto aksiomë. Nëse nga pala shqiptare vihet re një tërheqje nga protagonizmi nacionalist drejt një klime me retorikë të moderuar, kjo lidhet më shumë me faktin se Greqia ka filluar të marrë seriozisht “vijat e kuqe” të palës shqiptare dhe pa shumë vështirësi vë re se bien ndesh me deklaratat për një “marrëveshje të drejtë”, “të ndershme”, “të arsyeshme”. Pra, kemi një avancim me parimin e njohur se, në asnjë negociatë nuk shkohet me vija të kuqe. Pikërisht, këtu duhet kërkuar shfaqja së fundmi e një psikologjie negative te lidershipi shqiptar.

Rama më shumë dhe Bushati më pak, deklaruan se marrëveshja mund edhe të mos arrihet. Duhet thenë se kjo psikologji negative nuk lidhet aq me vizitën ende të pankonfirmuar të kryeministrit grek Tsipras për Pashkët ortodokse në Korçë. (Pra, kjo vizitë aq e përfolur mund të mos ndodhë). Nuk lidhet as aq me fatin e marrëveshjes së detit. Më shumë lidhet me frikën e dështimit të klimës së kultivuar dhe që bën fjalë për një fitore historike të politikës së jashtme shqiptare mbi atë greke dhe me peshën e Greqisë në fatin e Shqipërisë për hapjen e negociatave me BE-në këtë fundpranevere. (Rama në veçanti dhe politika shqiptare në përgjithësi, e di se këtë rol të Greqisë nuk e zvogëlon aspak “suksesi” i kryeministrit “me miqtë e Shqipërisë” në fillim të kësaj jave në kryeqëndrën e BE-së, sukses që vetë ai e sfumoi në maksimum me turravrapin e mënjëhershëm të tij nga Brukseli drejt Erdoganit)

Kjo e bën më të vështirë fshirjen e vragës së thellë nacionaliste që kultivoi vetë politika zyrtare e Tiranës në lidhje me këtë çeshtje, qoftë duke e kthyer atë në kalë të betejës së brendshme politike, qoftë duke shpalosur antihelenizmin (nga pozita revanshiste) si plate krenarie kombëtare për rritje të kredibilitetit popullor të qeverisë.

Në këtë kuptim, tërheqja e Athinës nga marrëveshja e 2009, u trajtua nga Tirana si dobësi dhe si pranim prej palës greke të padrejtësisë së pretenduar në dëm të palës shqiptare. Ndodhi kështu edhe pse Gjykata Kushtetuese e nulizoi atë marrëveshje për shkak të penaliteteve të vetë palës shqiptare. Ndërkohë, tërheqja e Greqisë nga marrëveshja e 2009 ndodhi kur ekzistonin të gjitha instrumentat që Athina mund ta çonte çeshtjen në arbitrazh ndërkombëtar me fitues qartësisht të paracaktuar.

Pikërisht, kjo tërheqje greke ngazëlleu nacionalizmin apriori antihelen në Shqipëri, i shfaqur kësaj here si revanshizëm. (Ligjerimi i unifikuar, zyrtar e publik, se Greqia u detyrua të tërhiqet falë presionit qeveritar, se marrëveshja e re do të jetë medoemos në favor të Shqipërisë, se deti kësaj here fitohet nga Shqipëria etj, përbënin kredon e këtij lloj nacionalizmi që ngjante si dy pika uji me kohën e E. Hoxhës).

Mirëpo askush nuk po vinte re se zhurma ishte e tillë saqë që zgjoi mediat dhe oponencën greke dhe e bëri inisiativën e Kotzias të linte mënjanë entusiazmin akademik dhe të ulej në terrenin e diplomacisë pragmatiste. Në fakt, zaret për këto zhvillime u hodhën që në vizitën e qërshorit 2016 të Kotzias në Tiranë. Në këtë vizitë Kotzias, me sinqeritet akademik, pse jo dhe pragmatist, i propozoi palës shqiptare një aksiomë bashkëpunimi greko- shqiptare ku përvoja dhe pesha politike greke në kombinim me vrullin shqiptar të përcaktonin ardhmërinë e Ballkanit. Por fatkeqësisht, ose fatmirësisht për të, mori si përgjigje predispozicionin shqiptar për kthimin e kahut të marrëdhënieve shqiptaro- greke nga e shkuara, (një e shkuar që merr peng të ardhmen) ku në krye të kësaj axhende shqiptare u promuvua mitingu i stisur i PDIU-së.

Fryma e protagonizmit nacionalist, si fitore “historike” e diplomacisë shqiptare mbi atë greke, e cila konsumohej me tepricë në mjedisin shqiptar, u ushqye edhe nga përbërësit e tjerë të paketës shqiptare përballë paketës greke.

E gjithë kjo klimë po fiton tanimë një natyrë konkrete në asetet dhe procedurat teknike të marrëveshjës për ndarjen e detit. Pala shqiptare shkon në negociata me vija të kuqe të imponuara nga vendimi i Gjyakatës Kushtetuese së 2010. Për t’i bërë ato sa më “të paprekeshme” dhe “të detyrueshme” ka risjellë në skenë njerëz që e denoncuan marrëveshjen e 2009-s, (por që çuditërisht deri para pak kohësh kishin heshtur). Logjika thotë se amplifikimi i asaj marrëveshjeje ndihmon sot në garantimin e paprekshmerisë së vijave të kuqe.

Mirëpo, sipas komenteve të njerëzve pranë ministrit të Jashtëm grek, vijat e kuqe shqiptare, nga njëra anë cenojnë rendë interesat e prekshme dhe të panegociueshme greke. Nga ana tjetër tentojnë të krijojnë një precedent, i cili do të hapë rrugën për zbatimin e tij edhe në Egje, e që është në favor të interesave të Turqisë. Të njëjtat burime theksojnë se përbërësit e vijave të kuqe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese janë propozime direkte të palës turke, ose që përputhen me kërkesat e Ankarasë ndaj Athinës në Detin Egje.

Kjo do të thotë se adoptimi nga ana e Ramës i mendimit për mundësinë e mosarritjes së marrëveshjes së detit me Greqinë, pohon se Tirana njeh tanimë hezitimin dhe rezervat reale të palës greke për përspektivën e negociatave në delimitimin e kufirit detar midis dy vendeve në Detin Jon. Po ashtu, mungesa e nxitimit të Bushatit për aktin e plotëfuqishmërisë dhe nënkuptimi se fillimi i bisedimeve mund të vonojë, jo ditë, siç pritej, por dhe javë, tregon se vonesat e Metës për autorizimin për plotfuqishmërinë ishin komplementare të kësaj situate e klime.

Për situatë të njëjtë flet edhe fakti se tempi në vrullin e deritanishëm të bisedimeve dypalëshe për të gjithë gamën e problemeve ka rënë, ose është përqëndruar kryesisht në probleme dytësore, apo të ditës. Dhe kjo kuptohet, nuk ka të bëjë fare me faktin se Greqia ka të hapura mjaft probleme të tjera.

Ndërkohë Tirana, në aspektin e komunikimit mediatik, përpiqet ta mbajë gjallë situatën duke i venë përballë mungesës së zhvillimeve të dëshiruara qëndrime antipode. Dmth, herë duke lëshuar sinjale për riashpërsim të gjuhës ndaj Greqisë, herë duke lidhur gjthçka me vizitën e mundshme të Tsipras në Korçë pas gati dy javesh.

Për sa i përket kësaj të fundit, është fakt se lajmi aq shumë i anonçuar nga mediat tona për këtë vizitë, duke caktuar madje dhe datë e orë dhe menu të ngrënash, ky lajm pra nuk konfirmohet nga Athina. Por, as qeveritarët tanë nuk e konfirmojnë atë. Dhe në fakt, po të nisemi nga misioni i vizitave të këtij niveli, vizita e Tsipras nuk ka kuptim nëse dialogu i deritanishëm nuk solli përparime, që kryeministrat të konfirmojnë kodifikimin e tyre me nënshkrim marrëveshjesh. © lapsi.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne