Shqiperia

Punësimet partiake, Rama nxjerr ministren e Drejtësisë për të hedhur poshtë investigimin e Zërit të Amerikës

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj hedh poshtë lajmin e publikuar nga Zëri i Amerikës mbi rekrutimin e punonjësve në administratën e burgjeve, duke theksuar se procesi ka qenë dhe mbetet procesi më meritokratik i zhvilluar ndonjëherë në sistemin penitenciar në vend.

Sipas saj, testimi dhe trajnimi i punonjësve të rinj është kryer në bashkëpunim të ngushtë me Akademinë e Sigurisë.

Gjonaj: Çdo shtetas shqiptar i interesuar i cili plotësonte kërkesat e parashikuara në ligj dhe në aktet nënligjore për rekrutimin në policinë e burgjeve ka patur mundësinë dhe kohën reale për të aplikuar, e thënë kjo edhe në përgënjeshtrim të çdo deklarate të bërë nga selitë e PD-së dhe LSI-së, ditën e djeshme, ku pretendohej se listat e aplikantëve janë listat e partisë. Për fat të mirë tonin dhe për fat të keq të atyre që kanë bërë deklarata të tilla dje, interesimi i qytetarëve shqiptarë ka qenë i lartë dhe këtë e vërteton numri i lartë i atyre, të cilët kanë aplikuar dhe që kanë shprehur interesin për të marrë pjesë në këtë konkurs dhe që janë në total 1385 aplikantë.

Gjithsej në testim u paraqitën 900 aplikantë, dhe u shpallën fitues 336 konkurrentë, prej të cilëve 267 të rekrutuar për herë të parë në sistem dhe 69 të rekrutuar nga radhët e ish-ushtarakëve, punonjësve të Policisë së Shtetit apo punonjësve të Policisë së Burgjeve, të cilët ishin një vlerë e shtuar dhe kishin pikë plus nëse do të kishin një eksperiencë të mëparshme, të cilën do ta kishin kryer në Policinë e Shtetit, në ushtri apo në Policinë e Burgjeve.

Gjonaj thotë se reforma e thellë në sistemin e burgjeve po jep rezultatet e veta, veçanërisht në forcimin e sigurisë së brendshme.

OPINIONE