Bota

Putin kritikon tërheqjen e SHBA-së nga marrëveshja INF

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke kritikuar tërheqjen e SHBA-se nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF), tha se ky vendim është një hap për tronditjen e të gjithë sistemit të formuar me marrëveshjet ndërkombëtare të sigurisë, transmeton Anadolu Agency.
Putin foli në takimin e Bordit Drejtues të Shërbimit të Sigurisë Federale të Rusisë (FSB) i cili u mbajt në kryeqytetin e Rusisë, Moskë.

“Shërbimet e huaja të inteligjencës po bëjnë çmos për të siguruar qasje në informacionin politik, ekonomik, shkencor dhe teknologjik në Rusi. Kundër këtyre përpjekjeve ne duhet të luftojmë në mënyrë efektive me metoda moderne”, tha Putin, duke mbrojtur idenë e tij se shërbimet e huaja të inteligjencës po përpiqen të rritin aktivitetet e tyre në Rusi.

Ndërsa në lidhje me vendimin e SHBA-ve për tërheqjen nga INF-ja, presidenti Putin është shprehur se “SHBA-ja duke u tërhequr nga INF-ja ka hedhur një hap të drejtpërdrejtë për tronditjen e të gjithë sistemit të formuar me marrëveshjet ndërkombëtare të sigurisë. Hapi në fjalë po ndryshon në drejtim negativ situatën kundrejt aktiviteteve aktuale të vendeve. Prandaj, pres që të gjitha njësitë, duke përfshirë punonjësit e FSB-së, t’i zgjidhin detyrat në mënyrë të shpejtë dhe efektive”.

Në fillim të muajit të kaluar sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, njoftoi se vendi i tij do të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga INF, e cila u nënshkrua në vitin 1987 me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS) dhe e cila parashikon ndalimin e raketave me një distancë prej 500 deri në 5 mijë 500 kilometra dhe të raketave që mund t’i vendosen kokë bërthamore.

Ndërkohë që edhe Putin në fillim të javës nënshkroi dekretin në lidhje me pezullimin e marrëveshjes INF.

OPINIONE