Rajoni

Qeveria e Kosovës shton masa të reja të reciprocitetit tregtar me Serbinë

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur në orët e vona të së shtunës mbledhje virtuale ku është vendosur që të plotësohet edhe më shumë vendimi për zbatimin gradual të reciprocitetit, si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

Siç bën të ditur komunikata nga qeveria, sipas ndryshimeve të fundit të masës së reciprocitetit, nuk do të lejohen dokumentet për produkte bujqësore dhe industriale që mohojnë shtetin e Kosovës.

“Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës”, shkruan në komunikatë.

Po kështu, vendimi i mbrëmshëm i qeverisë tani e tutje obligon Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) që të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomikë serbë tani e tutje duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Kosovë nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.

“Vendimi mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare”, përfundon komunikata.

Qeveria e në detyrë e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ka marrë vendim më 1 prill të këtij viti për heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat me origjinë nga Serbia dhe fillimin e zbatimit gradual të reciprocitetit, si parim me marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa ka vendosur për heqjen e kësaj tarife për produktet me origjinë nga Bosnjë e Hercegovina pa asnjë masë reciprociteti me të.

Tarifa 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina hyri në fuqi në fund të vitit 2018, si kundërpërgjigje e Qeverisë së Kosovës për fushatën e Serbisë kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës si dhe kundër anëtarësimit të saj në mekanizma ndërkombëtarë. /AA

OPINIONE

INTERVISTA