Qeveria përgjysmon detyrimet e prapambetura, bizneset dhe qytetarët marrin 96 mln euro për 3 muaj

Qeveria qendrore dhe ajo vendore e kanë mbyllur vitin që lamë pas një vlerë detyrimesh të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve që regjistrohet në 10.2 miliardë lekë apo rreth 98 milionë eurosh.

Sipas të dhënave më të fundit të Ministrisë së Financave, vihet re se brenda 3-mujorit shtator-dhjetor 2023, janë shlyer 10 miliardë lekë apo 96 milionë euro, duke përgjysmuar vlerën e stokut e cila në Shtator 2023 regjistrohej në 20.3 miliardë lekë. Progres në këtë drejtim ka pasur si nga qeveria qendrore ashtu edhe ajo vendore, pasi pushteti qendror ka shlyer 8.1 miliardë lekë në tre muaj dhe ai lokal 2.1 miliardë lekë.

Konkretisht në fund të 2023, detyrimet totale rezultojnë në 4.5 miliardë lekë për qeverinë dhe 5.7 miliardë lekë për bashkitë. Kategoria e investimeve, pra punëve publike të hapura por të pa likujduara në kohë, mban peshën kryesore të stokut të borxheve, me afro 3.3 miliardë lekë.

Në vendin e dytë për nga pesha që zënë, renditen vendimet gjyqësore për largime të padrejta nga puna apo ankimime të bizneseve, të cilat llogariten në afro 3 miliardë lekë. 2.5 miliardë lekë i zë kategoria të tjera. Ndonëse do të krahasojmë më vitet e kaluara duket se që nga 2020 ky është viti me stokun më të ulët të detyrimeve, çka është një tregues i mirë drejt përmirësimit të kësaj problematike. Ndërsa 2020-ta rezulton me vlerën më të lartë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne