Shqiperia

Qeverisja e Edi Ramës e çon në 12 numrin e kushteve për Shqipërinë; çfarë kërkon BE për të hapur negociata

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, në një intervistë ekskluzive për Anadolu Agency (AA) ka folur në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Turqi, partneritetin strategjik midis dy vendeve, përpjekjet e përbashkëta për të eliminuar kërcënimin e strukturave të organizatës terroriste FETO në Shqipëri, për çështjet e brendshme dhe rrugëtimin evropian të Shqipërisë, si dhe për zhvillimet në Kosovë dhe rajon. ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Kur erdhi në pushtet në vitin 2013-të, kryeministri Edi Rama gjeti në tavolinë vetëm 5 kushte që duhet të përmbushte për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Sot, pesë vite më pas, Shqipëria e qeverisur prej tij përballet me plot 12 kushte, të reja dhe të vjetra, të cilat duhet të realizojë nëse nuk dëshiron të mbetet gropa e zezë e Ballkanit.

Ministrat e Jashtëm të BE-së dolën nga takimi i Luksemburgut me një deklaratë ku Shqipërisë nuk i miratohej hapja e negociatave, gjithsesi, kjo çështje do të merret sërish në konsideratë në gjysmën e dytë të vitit 2019-të dhe nëse vendi ynë i plotëson 12 kushtet, atëherë mund të flitet për hapje të negociatave.

Por, sa e mundur është që këto 12 kushte të realizohen për një vit nga një qeveri që në pesë vite e shtoi numrin e tyre?

Në 2013-ën, Shqipëria duhet të përmbushte këto pesë kushte: Reformimin e administratës publike; reformimin e sistemit të drejtësisë; luftën kundër korrupsionit; luftën kundër krimit të organizuar; mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Përveç dështimit në realizimin e këtyre pesë kushteve, në 2019-ën dalin disa kushte të reja bazuar në problematikat që ekzistojnë sot në Shqipëri, si lufta kundër kanabisit, ulja e numrit të azilkërkuesve, marrëdhëniet e mira me fqinjët, reforma zgjedhore etj.

12 kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë brenda një viti për të diskutuar sërish hapjen e negociatave:

  1. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të vazhdojë dhe thellojë përpjekjet për të reduktuar kultivimin e kanabisit, duke u mbështetur në rezultatet e para të rëndësishme të vërejtura gjatë muajve të fundit.
  2. Këshilli nënvizon se Shqipëria duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në të gjitha këto fusha dhe duhet të sigurojë se rezultatet e mëtejshme duhet të arrihen edhe në luftën kundër korrupsionit në nivel të lartë, si dhe në çmontimin e rrjeteve kriminale të organizuara.
  3. Krijimi i një procesi solid të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në të gjitha nivelet, mbetet një objektiv thelbësor afatgjatë që kërkon përpjekje të mëtejshme, të strukturuara dhe të qëndrueshme.
  4. Këshilli përsërit nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat kundër diskriminimit, duke përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe qasjen në të drejtat e personave që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë dhe për të siguruar zbatimin në përputhje të ligjit kuadër, duke adresuar në aktet nënligjore përkatëse të gjitha çështjet e pazgjidhura, duke përfshirë të drejtën për vetë-identifikim të lirë.
  5. Këshilli gjithashtu përsërit nevojën për zbatimin efikas të të drejtave pronësore.
  6. Këshilli vëren se dialogu i qëndrueshëm dhe konstruktiv midis qeverisë dhe opozitës mbi reformat lidhur me BE është thelbësor për të avancuar në axhendën e reformave, në dobi të qytetarëve dhe për të afruar vendin më pranë BE-së.
  7. Këshilli përsërit se Shqipëria duhet të forcojë reformat që synojnë rritjen e konkurrencës dhe trajtimin e ekonomisë informale. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të përmirësojë më tej klimën e biznesit dhe investimeve, duke përfshirë sigurimin e zbatimit të të drejtës së pronës, duke ndjekur me forcë konsolidimin fiskal dhe forcimin e administratës tatimore.
  8. Këshilli inkurajon Shqipërinë që të ndërmarrë hapa për të adresuar problemet e menaxhimit të mjedisit.
  9. Këshilli gjithashtu mirëpret që Shqipëria të intensifikojë dialogun me vendet fqinje për të trajtuar çështje të rëndësishme dypalëshe dhe për të siguruar marrëdhënie të mira fqinjësore, të cilat mbeten thelbësore.
  10. Këshilli vë në dukje pozitivisht përpjekjet e Shqipërisë për të vendosur masa efektive që synojnë ulin kërkesat e pabazuara për azil, të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në vendet anëtare të BE-së. Këto masa duhet të ndiqen më tej, së bashku me bashkëpunimin dhe dialogun e vazhdueshëm me vendet më të prekura, derisa të arrihen rezultatet e qëndrueshme.
  11. Reforma zgjedhore duhet realizuar dhe duhet zbatuar në zgjedhjet lokale të 2019-ës.
  12. Në mënyrë të veçantë, Këshilli thekson nevojën kritike për të konsoliduar më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore në veçanti përmes verifikimit dhe për të dhënë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht në kultivimin dhe trafikimin e drogës, ruajtjen dhe duke thelluar momentin aktual të reformës. Kjo përfshin: – avancimin e mëtejshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe finalizimin e themelimit të strukturave të pavarura gjyqësore, siç parashihet me reformën kushtetuese; – finalizimin e themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimeve (NBI) dhe Gjykatës; – forcimi i procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë edhe në nivel të lartë.

 

OPINIONE