QYTETET ARTIFICIALE SHQIPTARE

Behar Kaceli

Termi “qytet artificial” i referohet një qyteti të ndërtuar qëllimisht dhe nga e para, zakonisht në një zonë që më parë nuk kishte një vendbanim të tillë, me qëllime të caktuara si: zhvillim ekonomik, administrativ, teknologjik, ekologjik, etj.
Një qytet artificial është një vendbanim urban i planifikuar në mënyrë të plotë (ose duhet të jetë i tillë të paktën) dhe i ndërtuar për qëllime specifike nga shteti, një korporatë apo një entitet privat, në kundërshtim me qytetet që janë zhvilluar gradualisht në mënyrë natyrore gjatë historisë.

Karakteristikat kryesore
– Planifikim i plotë urban: çdo lagje, rrugë, park dhe ndërtesë është projektuar paraprakisht.
– Infrastrukturë moderne: transport, energji, ujësjellës, teknologji inteligjente (smart city).
– Qëllim i caktuar: administrativ, ekonomik, turistik, teknologjik ose ekologjik.
– Përdorimi i teknologjisë së avancuar: shpesh bazohen në konceptin e “smart cities”.

Shpesh ndërtuar në zona të pabanuara, si: shkretëtira, ishuj artificialë ose zona të reja industriale.

Shembuj ndërkombëtarë
– Brasilia (Brazil): themeluar më 21 prill 1960 për t’u bërë kryeqyteti i ri i Brazilit.
– Canberra (Australi) : ndërtimi filloi 20 shkurt 1913 dhe ishte një qytet i planifikuar për të zgjidhur rivalitetin mes Sidneit dhe Melburnit.
– Astana / Nur-Sultan (Kazakistan) : ndërtur në shek. 19 si kryeqytet modern në stepat e Kazakistanit.
– Neom (Arabia Saudite): projekt futuristik në shkretëtirë, që synon të jetë qytet inteligjent 100% i qëndrueshëm dhe që pritet të funksionojë në 2030.
– Songdo (Koreja e Jugut): ndërtimi filloi më 2001, qytet i ndërtuar nga e para si “smart city” me teknologji të integruar.

Qëllimet e ndërtimit të qyteteve artificiale
– Shpërndarja e popullsisë nga zonat e mbingarkuara urbane.
– Zhvillimi rajonal i zonave të pazhvilluara.
– Përmirësimi i imazhit kombëtar (si te Neom apo Astana).
– Eksperiment urban me teknologji të reja, transport ekologjik, energji të pastër etj.

QYTETET ARTIFICIALE NË SHQIPËRI

Shumë prej qyteteve shqiptare të krijuara gjatë periudhës komuniste mund të konsiderohen qytete artificiale, pasi ato u ndërtuan nga e para, kryesisht gjatë viteve 1960–1970, si pjesë e strategjisë së industrializimit të vendit.

Këto qytete u ngritën pranë uzinave, minierave, fabrikave dhe komplekseve bujqësore-industriale, me qëllim që të siguronin forcë punëtore për sektorët e rinj të ekonomisë socialiste.

Ndryshe nga qytetet tradicionale shqiptare me zhvillim historik dhe kulturor (si Shkodra, Berati, Elbasani apo Gjirokastra), këto vendbanime nuk kishin një rrjedhë natyrore urbane dhe as një identitet historik apo shoqëror të formuar. Ato u planifikuan në mënyrë standarde, me blloqe banesash të tipit sovjetik, rrugë të drejta, qendra shërbimesh minimale dhe infrastrukturë të varfër publike.

Këto qytete funksiononin si qendra të punës kolektive, të varura plotësisht nga ndërmarrja industriale përreth. Mirëpo, pas viteve 1990, me shkatërrimin e industrisë shtetërore dhe ndryshimin e sistemit ekonomik, shumica e tyre humbën funksionin ekonomik dhe pësuan zbrazje masive të popullsisë. Kështu, shumë prej tyre u shndërruan në “qytete fantazmë”, me infrastrukturë të amortizuar, mungesë shërbimesh publike dhe papunësi të lartë.

Ekspertët urbanistë e konsiderojnë këtë fenomen si dështim i modelit të urbanizimit të komanduar, ku krijimi i qyteteve nuk bazohej në nevoja reale shoqërore apo ekonomike afatgjata, por në politikën e centralizuar të industrializimit. Për pasojë, ndërtimi i qyteteve artificiale në Shqipëri përbën sot një dëshmi historike të urbanizimit ideologjik të periudhës komuniste dhe të kufizimeve të tij në aspektin e qëndrueshmërisë urbane.

TRASHËGIMIA E QYTETEVE ARTIFICIALE NË URBANIZIMIN BASHKËKOHOR SHQIPTAR

Për fat të keq, fryma e dështuar e qyteteve artificiale të periudhës komuniste është trashëguar edhe pas viteve 2000. Edhe pse Shqipëria në këtë periudhë u hap ndaj ndryshimeve, investimeve të huaja dhe prurjeve moderne në planifikimin urban, shumë nga lagjet e reja të ndërtuara në qytetet shqiptare (veçanërisht në Tiranë) u zhvilluan me të njëjtën logjikë të ngushtë dhe jo të qëndrueshme.

Rasti i lagjes Astir (ku unw banoj) në Tiranë është një shembull domethënës. Kjo zonë u ndërtua në një periudhë kur ekzistonin të gjitha mundësitë për të krijuar një hapësirë urbane moderne, me infrastrukturë funksionale dhe standarde bashkëkohore, pasi terreni ishte i lirë dhe pa kufizime historike apo fizike. Megjithatë, zhvillimi i saj, ashtu si i shumë lagjeve të tjera të reja, nuk solli asnjë risi në konceptin urban dhe nuk përfshiu asnjë element të qyteteve moderne apo inteligjente.

Në këto lagje mungojnë elementët bazë të një jete urbane të shëndetshme: hapësira publike, parqe, parkingje, institucione arsimore e shëndetësore, qendra komunitare apo zona të kreativitetit. Ndërtimi është përqendruar pothuajse tërësisht te blloqet e banimit dhe fitimi afatshkurtër, ndërsa planifikimi urban dhe cilësia e jetës janë lënë pas dore.

Ky fenomen tregon se, pavarësisht ndryshimit të sistemit politik dhe ekonomik, mendësia urbanistike e viteve ’60–’70 nuk është kapërcyer plotësisht. Në thelb, ajo mbetet një mendësi e centralizuar, e shpejtë dhe jo vizionare, që sheh ndërtimin si proces teknik, e jo si krijim të një mjedisi të gjallë njerëzor.

Në këtë kuptim, urbanizimi shqiptar pas vitit 2000 dëshmon se problemet strukturore të qyteteve artificiale nuk i përkasin më vetëm të shkuarës socialiste, por janë pjesë e vazhdueshme e kulturës sonë të planifikimit, një kulturë që ende nuk e ka përvetësuar konceptin e qytetit të qëndrueshëm, të gjelbër dhe inteligjent./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq