Racizmi në Izrael – Refugjatët afrikanë ballafaqohen me dëbim ose burgim

Rreth 40 mijë refugjatë nga vendet afrikane, të cilët aktualisht ndodhen në Izrael, duhet të zgjedhin mes burgjeve në këtë vend dhe rrugëtimit të pasigurt në atdhe ose në vende të treta.

Njëri prej tyre është edhe 34-vjeçari Halofom Sultan, i cili ishte detyruar të largohej nga vendi i lindjes Eritrea shtatë vjet më parë, ku jeta e tij ishte në rrezik të madh.

Në bisedën për Anadolu Agency (AA), Sultan tha se thjeshtë duhej të ikte nga atdheu ku ishte dashur të linte gruan dhe dy fëmijët e tij.

Ai tregon se si kishte paguar trafikantët me njerëz 3.500 dollarë amerikanë, për të kaluar në Etiopi, në të cilën zhvilloheshin luftime, dhe pastaj në Sudan, një vend poashtu arenë e konflikteve të armatosura.

Sultan kishte mundësi të vazhdonte përmes shkretëtirës së rrezikshme të Saharasë përmes Libisë të arrijë në Evropë ose të shpëtojë përmes Egjiptit në Izrael.

Ai theksoi se kontrabandistët i kishin ofruar që ta çonin në Izrael.

“Nuk isha në gjendje të zgjedhja midis Izraelit dhe Evropës, por zgjedhja e vetme që kisha atëherë ishte të largohesha nga Sudani dhe më në fund arrita në Izrael”, tha Sulltan.

Ai thotë se ishte detyruar të largohej nga atdheu i tij për shkak të problemeve të mëdha me të cilat ishte përballur, duke kujtuar se gjatë studimeve universitare shumë herë ishte arrestuar për pjesëmarrje në protestat anti-qeveritare dhe ishte kërcënuan edhe me vdekje.

Sultan tha se besonte se në Izrael, për shkak të faktit se hebrenjtë i ishin nënshtruar genocidit dhe persekutimit do të pranohej me mirëkuptim.

Megjithatë, siç tha ai, refugjatët nga vendet afrikane në Izrael janë përballur me diskriminim të madh dhe urrejtje.

“Në fakt, shumica e izraelitëve nuk janë kundër refugjatëve dhe në shoqëri nuk ndjejmë ndonjë urrejtje të madhe, por autoritetet dhe policia ende na trajtojnë keq. Disa njerëz të mbështetur nga qeveria izraelite ushqejnë urrejtje të madhe ndaj refugjatëve, veçanërisht ndaj personave me ngjyrë-afrikanëve”, thotë Sultan.

Në dhjetor 2017, Parlamenti izraelit miratoi një ligj që autorizonte deportimin me forcë të refugjatëve nga vendi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu gjithashtu në janar tha se një praktikë e tillë është e nevojshme për sigurinë e kufijve të vendit.

Qeveria izraelite refugjatëve u ka vendosur një ultimatum, duke u ofruar atyre mundësinë që të largohen nga vendi deri më 31 mars në këmbim të 3.500 dollarëve amerikanë dhe një biletë avioni, apo në të kundërtën do të përballen me burgim.

Sipas Qendrës për emigrantët nga Afrika, shumica e atyre që do të deportohen nga Izraeli janë shtetas të Eritreas dhe Sudanit të cilët kanë ikur nga atdheu i tyre për shkak të luftës apo torturës.

Megjithatë, shumica e emigrantëve afrikanë frikësohen se me t’u larguar nga Izraeli në një vend të tretë, përsëri mund të deportohen në atdheun e tyre, ku siç thonë, mund të ekzekutohen.

Para miratimit të ligjit të fundit, rreth 20 mijë emigrantë u larguan nga Izraeli në kuadër të programit të “largimit vullnetar” gjatë katër viteve të fundit.

Megjithatë, fati që përjetuan pas kësaj është një shqetësim për shumicën e emigrantëve si Sultani.

“Njërin prej tyre terroristët e DEASH-it në Libi i kishin prerë kokën dhe disa janë bërë skllevër të tyre. Disa kanë mbërritur në Detin Mesdhe dhe vetëm disa kanë arritur të mbërrijnë në Evropë”, tha Sultan, duke shtuar se gjatë shtatë viteve ai nuk mund të fitojë statusin e refugjatit ligjor në Izrael ku më së shumti ka punuar si punëtor ndërtimi.

Ai thekson se për momentin së bashku me eritreanët tjerë në Izrael jeton në Qendrën për Arsim Kombëtar, duke shtuar se qëllimi i tyre kryesor është veprimi i organizuar për të shmangur dëbimin.

Në fund, ai thotë se gjëja më e vështirë është se nuk mund të ndihmojë as familjen e tij, duke shtuar se edhe ata përfundimisht ishin detyruar të ikin në Etiopi, ku aktualisht jetojnë në një kamp refugjatësh.

Ai thotë se në qoftë se detyrohet të zgjedh, atëherë më parë do të zgjedh burgun në vend të dëbimit, sepse siç thotë, aty në mos tjetër do të mbetet gjallë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Izrael konsiderojnë se ligji izraelit mbi dëbimin është në kundërshtim me vlerat fetare dhe të drejtat e njeriut ndërsa mbështetësit e partive djathtiste e mbështesin këtë praktikë. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne