Rama apel mjekëve: Mos ikni në Gjermani

32 autoambulanca të reja i janë shtuar flotës së urgjencave në Qendrat Spitalore Universitare.

I pranishëm në ceremoninë e prezantimit të flotës, kryeministri Edi Rama tha se synimi i qeverisë ka qenë reformimi i urgjencave dhe ky sektor tashmë është përballë ndryshimeve të mëdha.

Sfidë mbetet, tha Rama, që urgjenca t’i përgjigjet në kohë reale çdo qytetari në nevojë.

Duke iu referuar statistikave, Rama tha se nga nëntori i vitit 2015 dhënia e ndihmës së parë përmes Urgjencës ka shpëtuar 3 mijë jetë njerëzore.

Duke u ndalur te largimi i mjekëve dhe infermierëve jashtë vendit, Rama solli shembullin sesi drejtuesi i urgjencës është kthyer nga jashtë vendit dhe po udhëheq, sipas tij, transformimin e këtij reparti në sistemin shëndetësor.

Ndërsa shtoi se pas janarit do punësohen 300 mjekë të rinj në sistemin shëndetësor, duke theksuar se ata që do zgjedhin të punojnë jashtë zonave të tyre të banimit, do përfitojnë edhe bonusin prej 2 mijë dollarësh. Thirrja e Ramës ishte pikërisht për mjekët që duan të largohen në drejtim të Gjermanisë.

“Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por Urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi”, tha Rama.

“Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe nga sa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve.

Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani.

Aq marrin të gjithë mjekët që shkojnë jashtë Tiranës për të shërbyer si specialistë. Marrin rrogën si mjekë dhe marrin mbi rrogën 2 mijë deri në 2500 dollarë në muaj.

Po të llogarisësh taksat që paguajnë këtu që janë 5 fish më të ulëta, se sa do paguanin në Gjermani ta bëjnë vetë llogarinë se si është më mirë por një gjë është e sigurt se as kemi e as do kemi mungesë mjekësh dhe infermierësh në sistemin tonë shëndetësor“, theksoi Rama.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne