Rama i korruptuar, Berisha i degraduar, Basha të bën për të qeshur. Arlind Qori “skanon” politikën

Kryetari i “Lëvizja Bashkë”, Arlind Qori, e konsideron elitën politike shqiptare, të degraduar dhe të korruptuar.

Qori bëri një “skaner” të figurave kryesore politike, duke përshkruar secilin prej tyre.

Pjesë nga biseda në studio:

Arlind Qori: Në këto 32 vjet kemi hyrë në krizë dhe këtë e pëson në fillim partia më e dobët. PD-ja duket se ka qenë më e dobët se ka qenë më shumë jashtë pushtetit. Diçka e tillë, me simptoma të tjera, mund të përfshijë PS-në. Brenda elitës politike shqiptare z. Basha është figura më qesharake. Nëse Berisha dhe Rama kanë qenë të frikshëm dhe karizmatikë, në momente të caktuara. Sot ka në Shqipëri që betohen për kokën e Sali Berishës apo të Edi Ramës. Nuk janë shumë, por ka disa që besojnë te ta. Kur vjen te z. Basha, nuk është se e ke inat, është një figurë që të bën për të qeshur. Nuk ka më keq për një politikan se sa të bëhet objekt i preferuar i memeve. Sot është vetëm qesharak dhe asgjë tjetër.

Ylli Rakipi: Ç’mendon për doktorin?

Arlind Qori: Ai është në degradim të vazhdueshëm politik. Për shkak të inercisë, vazhdon të ruajë një farë pushteti, por është në proces degradimi politik. Ai nuk ngjitet më lart. Ai vetëm më poshtë mund të shkojë. Sigurisht nuk do të përfundojë shumë shpejt si Lul Basha.

Ylli Rakipi: Po Partinë e Lirisë, si e shihni?

Arlind Qori: Ilir Meta mund të “hante bukë” nëse do të ishte kjo partia e mesit, që mund të bënte shumicën qeverisëse për njërën, ose për tjetrën parti. Në momentin kur kjo nuk është më e nevojshme, Ilir Meta degradon. Sa kohë është aty me 7-10 deputetë, mund të bësh shumicën dhe merr 20-30 për qind të pushtetit dhe bëhesh i pushtetshëm. Kur s’ta var më njeri, atëherë shkon në peshën e vet politike që është një parti fund e krye klienteliste, gjysmëfisnore, komplet jashtë kohës.

Ylli Rakipi: Po për Tom Doshin çfarë mendon?

Arlind Qori: Tom Doshi është ai që ka zëvendësuar Ilir Metën. Pse ekziston partia e Tom Doshit? Çfarë interesi ka PS-ja? Nëse Ramës i ikin 3-4 deputetë, atij të mos i ikë qeveria. Kjo është e vetmja arsye pse ekziston partia e Doshit. Ai është kryetar i një partie që quhet socialdemokrate. Ta thuash në Evropë këtë kushedi çfarë mendojnë, sa intelektual është, që flet për shtetin social, për punëtorët.

Ylli Rakipi: Pavarësisht të gjithave, z. Doshi vete te njerëzit.

Arlind Qori: Edhe përfaqësuesit e organizatave mafioze shkojnë te njerëzit…

Ylli Rakipi: Tani të ndalojmë te Edi Rama, “mbreti”. Ç’mendon ti?. Ka marrë edhe hijen e Ismail Bej Vlorës.

Arlind Qori: Mendoj se është politikani fund e krye i korruptuar, që ka patur Shqipëria, por ka edhe një dozë shumë të lartë të delirit, i duket vetja si Skënderbeu, si Ismail Qemali, si udhqëheqës i Ballkanit, i Evropës, drejtues i NATO-s. Deliri i madhështisë është i rrezikshëm kur kombinohet me politikanë që kanë kaq shumë pushtet dhe kaq shumë pasuri korruptive.

Ylli Rakipi: Në 2025 kemi përsëri zgjedhje. “Sulltani” do të jetë prapë?

Arlind Qori: Aty do të jetë për të tentuar mandatin e katërt. Të jetë për të do të tentojë edhe mandatin e 14-të. Ai duhet mposhtur. Askush nuk ikën vetë, aq më pak udhëheqësit autokratë dhe delirantë dhe unë besoj se shoqëria shqiptare ka potencialin për t’i mposhtur. Por duhet të besojmë te vetja, te njëri-tjetri. Ai nuk do të ikë vetë. Nuk funksionon kështu politika. Duhet ta mposhtësh kundërshtarin.

Ylli Rakipi: Mendon ti se Luli Basha dhe Doktori do ta mundin këtë pas dy vitesh?

Arlind Qori: Nuk mendoj se do të jenë aq të fuqishëm sa për ta mposhtur këtë lloj makinerie politike që është PS-ja, korruptive, por ne, jo pas dy vjetësh, kemi potencialin për ta bërë këtë gjë./TPZ

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne